KryesoreLajme

Kryetari i Komunës së Shtimes përuron rrugën Petrovë-Reçak-Rancë

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me qytetarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëpunëtorë, përuruan rrugën e re Petrovë-Reçak-Rancë, një projekt i rëndësishëm për zonën dhe gjithë komunën.

“Asfaltimi i kësaj rruge nuk është vetëm një investim infrastrukturore, por një nderim për historinë tonë dhe një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të fshatrave tona malore. Me këtë projekt, po u japim banorëve qasje më të lehtë, mundësi të reja dhe perspektivë më të mirë për të ardhmen”, tha kryetari Aliu.

Lexo më shumë  Shekulli i Ndërvarësive: As Uashingtoni dhe as Pekini nuk mund të sundojnë

Ky investim kapital, me vlerë afro gjysmë milioni euro dhe gjatësi prej rreth 5.5 kilometrash, paraqet jo vetëm një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës, por edhe një vlerë të veçantë historike. Dikur një shteg i vështirë për t’u përshkuar, sot kjo rrugë e asfaltuar plotësisht merr një rëndësi të re në jetën e banorëve dhe në zhvillimin e fshatrave malore.

Rruga Petrovë-Reçak-Rancë ka shërbyer dikur si korridor furnizimi me armë nga Maqedonia për Zonën Operative të Nerodimës, si dhe si arterie lidhëse mes selisë së Shtabit të UÇK-së në Rancë dhe Shtabit të Zonës Operative të Nerodimës në Mollopolc gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Lexo më shumë  Rashiq: Kam siguruar një mandat në Kuvend, i gatshëm ta votoj Qeverinë “Kurti 3”

Me asfaltimin e rrugës, banorët dhe vizitorët do të kenë qasje më të lehtë drejt zonave me rëndësi historike dhe natyrore, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim lokal, turizëm malor dhe eksplorim të bukurive të komunës.

Rruga Press

YouTube player