Kryeministri slloven për aferën e dyshuar me Martin Berishajn: Trillim i pastër
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, të enjten e ka quajtur trillim të pastër përfshirjen e tij në ndonjë aferë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.
Golob ka thënë se këtë lajm e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve në Slloveni. Por sipas tij, më vonë u zbulua se Berishaj është miku personal i Janez Janshas, kryetarit të SDS-së. Thotë se nuk e ka idenë se nga kush u “ringjall” në Kosovë kjo aferë e dyshuar.
“A e dini se kush e nisi këtë. Këtë e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve tona. Në atë kohë ata thanë se më financuan mua dhe fushatën time. Por më pas zbuluam se ky Berishaj, meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Janshas. Dhe në atë moment, gjëja nga Sllovenia u zhduk. Tani u ringjall, me sa duket në Kosovë, ndoshta nga miqtë, armiqtë, nuk e kam idenë”, ka thënë Golob për një televizion slloven.
“Pra, ju e mohoni këtë nëse ju kuptoj saktë?”, pyetet kryeministri slloven, ndërsa përgjigjet: “E gjithë kjo është trillim i pastër”.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dalë në krah Berishajt, duke thënë se s’ka ndonjë provë faktike për ta shkarkuar.
Edhe vetë Berishaj, përmes një reagimi të mërkurën, ka hedhur poshtë të gjitha akuzar që janë drejtuar ndaj tij.
Rruga Press