KryesoreLajme

Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Mandatari për formimin e qeverisë serbe, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia do të vazhdojë të mbajë lidhjet me Rusinë dhe Kinën. 

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror”, tha ai.

Ai tha se Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Ndërsa foli edhe për rëndësinë e partneritetit me Kinën, për tëcilën tha se marrëveshja tregtare do të hapë dyert e tregut kinez për biznesmenët.

“Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të shumë njerëzve në Perëndim, për ne Kina përfaqëson një vend mik, një partner dhe një aleat të besueshëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, tha Vuçeviq në Kuvendin serb.

Lexo më shumë  Përfundon pa marrëveshje takimi për dinarin, Bislimi: Nuk pres takime të tjera për këtë temë

Ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Kinës nuk do të ndryshojë dhe shtoi se mezi pret vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili do ta vizitojë Serbinë më 7 dhe 8 maj.

Për Bashkimin Evropian ai tha se Serbia ende e konsideron si synim strategjik, duke shtuar se nuk do t’i pranojnë kriteret e tij për Kosovën dhe sanksionimin e Rusisë.

“Pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta poshtërojë veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës”, ka thënë ai.

Millosh Vuçeqviq përsëriti qëndrimin e Aleksandar Vuçiqit kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës duke shkelur kështu Marrëveshjen Bazike me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Lexo më shumë  Ngrihet aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte ndaj shqiptarëve

Qeveria e re do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol. Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – ndër të tjera për shkak të lidhjeve me Rusinë – është propozuar të rikthehet në kabinet si zëvendëskryeministër.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë po kthehet në Qeveri – Nenad Popoviç, si ministër pa portofol. /TheGeopost/

YouTube player