KryesoreLajme

Kryeministri Kurti: Vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm, po merr rrugë

Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar të mërkurën se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas 10 muaj pritjeje e ka trajtuar lëndën për Vetingun, duke i hapë rrugë këtij procesi, që ai e quan shumë të nevojshëm. “Më në fund kemi konfirmimin mbi amendamentet kushtetuese për Vetingun. Pra Vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë”, shkruan Kurti në Facebook.

Por kjo Gjykatë, sipas Kurtit, ka më shumë se një vit që nuk e ka trajtuar shqyrtimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e Qeveria e ka miratuar në shkurt të vitit 2023.

“E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt. Kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, siç patëm premtuar, dhe kemi miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative, siç kemi premtuar. E kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Në janar të këtij viti u bë edhe pranim dorëzimi i dokumenteve të para në këtë Institut. Po ashtu, kemi mundësuar gjykimin në mungesë për kriminelët e luftës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai thotë se është kompletuar pakoja ligjore kundër korrupsionit, duke miratuar ligjet për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë.

Lexo më shumë  Dëmet materiale nga lufta në Kosovë: Rreth 22 miliardë euro

“Gjithashtu kemi mundësuar Task-forcën Anti-korrupsion e cila pritet të funksionalizohet gjatë vitit. Ndër tjerash kemi miratuar edhe rregullativën për sinjalizuesit. Përmes ndryshimeve procedurale penale, gjithashtu kemi mundësuar largimin e zyrtarëve publikë me aktakuza dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për zyrtarët që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare”, shkruan ai.

Kurti po ashtu flet edhe për dhunën në familje dhe për barazinë gjinore.

“Për të adresuar dhunën në familje dhe në baza gjinore që vazhdon të na shqetësoj si shoqëri dhe institucione, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, krahas Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Ligjit për Ndihmë Juridike Falas dhe mbi 10 akte tjera normativ”, thotë kryeministri.

Në kuadër të fushatës së përvitshme “16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, në fund të vitit të kaluar, siç thotë kryeministri, për herë të parë është lansuar masa e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, qeveria do të subvencionojë, sipas Kurit, 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.

“Deri më tani janë dhjetëra aplikuese që pritet të përfitojnë nga kjo masë. Ndërkaq strehimoret që kujdesen për viktimat e dhunës në familje dhe organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë dhe avokojnë për të drejtat e njeriut, i mbështetëm me 1.6 milion euro gjatë vitit 2023. Kemi ndarë 200 mijë euro më shumë për fëmijët pa përkujdes prindëror. I kemi liruar nga pagesa e ushqimit në Qendrën e Studentëve dhe banimit në Konvikte të gjithë studentët pa kujdes prindëror ose që kanë qenë në strehim familjar gjatë periudhës sa kanë qenë fëmijë. Ata së bashku me personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas, gjithashtu i kemi liruar nga tarifat noteriale. Sa i përket shërbimeve noteriale, kemi hapur gjashtë zyra alternative noteriale në Komunën e Malishevës, Rahovecit, Obiliqit, Kamenicës, Istogut dhe Kaçanikut të cilat kishin mbetur pa noterë”,deklaron Kurti.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Këtë vit shefi i Qeverisë, thotë se është bërë thirrje publike në vlerë prej 1.5 milion euro për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të e licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Ndërkohë që janë licencuar, sipas tij, edhe 672 profesionistë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.

YouTube player