Kryesore

Kryeministri Kurti: Të përkushtuar për rritjen e punësimit të komuniteteve joshumicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ekzekutivi është duke e adresuar çështjen e punësimit të komuniteteve joshumicë dhe synon rritjen e numrit të punëtorëve nga komunitetet rom, ashkalinj e egjiptianë në institucionet publike.

I pari i ekzekutivit një gjë të tillë e theksoi gjatë tryezës së rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom që u organizua nga Zyra për Çështje të Komuniteteve të Zyrës së Kryeministrit.

“Siç e dini jemi duke e adresuar  çështjen e punësimit të komuniteteve joshumicë. Konkretisht kemi krijuar platformë për praktikë me pagesë përmes ‘Kosovo Generation Unlimited’, ku synojmë që 15 përqind e praktikantëve të jenë nga komunitetet joshumicë.  Gjatë këtij viti jam takuar me të rinjtë të cilët kanë përfituar nga ky program jo vetëm financiarisht por edhe si përgatitje për tregun e punës. Me ekipin ndërinstitucional për punësimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve kemi ndërmarrë disa hapa praktikë që kanë kontribuar që këto komunitete të jenë pjesë e tregut të punës dhe të kontribuojnë në ekonominë tonë vendore”, ka theksuar Kurti.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Kryeministri tutje ka bërë të ditur se në tetor është krijuar baza ligjore për masën afirmative lidhur me shpalljen e vendeve të punës, të cilat janë të rezervuara vetëm për komunitetet joshumicë, e që sipas tij kjo ndihmon në arritjen e kuotës prej 10 përqind që është e rezervuara për këto komunitete për institucionet qendrore të Republikës.

“Edhe në fushën e sigurisë është rritur punësimi i komuniteteve. Unë gëzohem që një ushtar rom bashkë me 11 të tjerë nga komunitetet joshumicë javën e ardhshme do të betohen si ushtar të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Për përfshirje sa më të gjerë në agjenci të sigurisë publike muajin e kaluar është organizuar Dita e Hapur në Akademi në Vushtrri vetëm për komunitete. Këtu pata rastin të bashkëbisedoj me mbi 100 të rinj, kryesisht nga komunitetet romë ashkalinj dhe egjiptian”, ka shtuar Kurti.

Ai ka përmendur se Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për komunitetet rom, ashkalinj e egjiptian, si dhe ka vazhduar me ndarjen e bursave për 500 nxënës dhe 55 bursa për studentët e komuniteteve.

Tutje i pari i ekzekutivit si  çështje shumë me rëndësi për komunitetet joshumicë ka përmendur regjistrimin e popullsisë, i cili do të nisë në muajin prill.

“Për ne si shtet është e domosdoshme që ta planifikojmë infrastrukturën e duhur për qytetarët që kërkojnë shërbime në Republikën tonë e regjistrimi i popullsisë është procesi më themelor e më serioz që kontribuon në politikat e mira për zhvillimin e vendit në përgjithësi. Regjistrimi i popullsisë është pasqyra e një populli. Secili prej nesh shikohet së paku një herë në pasqyrë dhe vetëm duke e parë veten në pasqyrë ne rregullohemi. Pa regjistrim të popullsi ne jemi pa pasqyrë”, ka nënvizuar Kurti.

Ai ka theksuar se qeveria është e përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit.

Ndërkaq, deputeti Erxhan Galushi, ka theksuar se angazhimi dhe përkushtimi i Qeverisë ndaj komuniteteve joshumicë ndihmon në ndërtimin e një mjedisi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Rruga Press

YouTube player