Lajme

Kryeministri Kurti: : Krijimi i Asociacionit do të ishte goditje fatale për Kushtetutën

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se synimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është instalimi i një entiteti juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës.

I pari i ekzekutivit gjatë një ligjërate në Konferencën e Paqes: Demokracia kundër autokracisë, organizuar nga asociacioni Tout Pour La Republique, Universite Pantheon Sorbonne, Hyland Center for Global Studies në UBT dhe Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare, ka thënë se një gjë të tillë Serbia po e synon përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

”Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshelit dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike”, ka thënë Kurti, njofton Kryeministria.

”Kjo është arsyeja pse në të njëjtën kohë që ai dëshiron instalimin dhe kontrollin e një entiteti të tillë brenda Kosovës, qeveria e tij po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal”, ka shtuar Kurti.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, siç thekson me të drejtë Hyland, jo vetëm që bazohet në norma universale liberal-demokratike, siç janë respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve para ligjit, por është edhe shumë bujare në konceptimin e së drejtës për vetëmenaxhim të pakicave etnike, veçanërisht të serbëve të Kosovës, ka thënë tutje kryeministri.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

“Serbët e Kosovës gëzojnë një veto efektive mbi shumë aspekte të rëndësishme të hartimit të ligjit dhe politikave, jo vetëm në nivel të qeverisjes lokale, por edhe në nivel qendror. Neni 81 i Kushtetutës sonë, duke iu referuar asaj që e quan “legjislacion me interes vital”, përcakton se një gamë e gjerë ligjesh nuk mund të miratohen apo shfuqizohen pa pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit që mbajnë mandate të garantuara për pakicat, të cilat në total arrijnë në 20 mandate (sipas nenit 64 të Kushtetutës sonë). Këtu përfshihen ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve komunalë, ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, ligjet për përdorimin e gjuhës, ligjet për zgjedhjet lokale, ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura, ligjet për lirinë fetare, ligjet për arsimin dhe ligjet për përdorimin e simboleve. Për më tepër, asnjë nga këto ligje nuk mund të paraqitet në referendum”, ka thënë Kurti.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe (e ashtuquajtura Zajednica serbe) do të kishte qenë goditje fatale për Kushtetutën tonë. Prandaj, nuk është rastësi që Gjykata jonë Kushtetuese konstatoi se 23 nene të Statutit të saj të propozuar janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë”, ka nënvizuar kreu i ekzekutivit.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Kryeministri ka thënë se problemi Kosovë – Serbi mund të cilësohet si periferik në betejat e mëdha globale.

”Në përplasjen globale midis demokracisë dhe autokracisë që po dëshmojmë tani, betejat e vogla në periferi mund të duken se nuk kanë shumë rëndësi. Sidoqoftë, kjo është një përshtypje që nuk vërtetohet nga dëshmitë historike. Historia mëson, përkundrazi, se dështimi për të mbajtur një qëndrim parimor kundër autokratëve në një teatër të vogël të politikës botërore (siç mund të jenë të prirur ta shohin disa Ballkanin Perëndimor) mund të përshpejtojë lehtësisht kriza globale shumë më të mëdha. Historia moderne e Ballkanit e ka ilustruar këtë në shumë raste, ku më dramatike është shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Unë besoj se ne demokratët duhet të bëjmë shumë më tepër për tu koordinuar përtej kufijve ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ofrojmë njëri-tjetrit solidaritetin shumë të nevojshëm, ndërkohë që përballemi me kthimin e ekstremit të djathtë autoritar, qoftë në vendet tona apo në ato fqinje. Përderisa sigurisht se ka rëndësi që ne kemi një nivel të lartë moral, kjo është e pamjaftueshme. Ajo që na duhet është ta kthejmë këtë nivel kaq të lartë moral në nivel politik. Dhe kjo kërkon përpjekje të organizuara”, ka nënvizuar Kurti.

Rruga Press

YouTube player