Lajme

Kryeministri Kurti: Industria e drurit kontribuoi në përmirësimin e bilancit tonë tregtar

Kryeministri Albin Kurti, në hapjen e Konventës së gjashtë të Industrisë së Drurit, ka thënë se kjo industri ka kontribuar në rritjen e eksportit vendor. Ai ka thënë se pritjet janë që eksportet totale për produkte të drurit që nga viti 2021 e deri në fund të këtij viti të arrijnë vlerën prej 600 milionë euro.

“Kjo industri në zhvillim të vazhdueshëm ka kontribuar në rritjen e eksportit e në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë. Eksportet totale për dyer, dritare, mobileri të drurit dhe ndërtesat e parafabrikuara në dy vitet e fundit 2021-2022 dhe 10 muajt e vitit 2023 janë me vlerë 563 milionë euro. Deri në fund të muajit dhjetor presim të jenë rreth 600 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.  

Lexo më shumë  Haxhiu: Zbatohen 55 % e aktiviteteve të strategjisë për sundim të ligjit

I pari i ekzekutivit ka thënë se vlera e eksportit të mallrave në vitin e kaluar ka shkuar në 920 milionë euro. Ndërkaq, eksportin e shërbimeve e ka quajtur si vlerë rekord, duke thënë se ka arritur në mbi 2,5 miliardë euro.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Zenel Kelmendi, ka thënë se industria e drurit në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rritje të dukshme.

“Nëpërmjet kësaj konvente synojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të shkëmbejmë ide, të inspirohemi nga puna dhe suksesi i njëri tjetrit dhe me këtë jemi ofertë serioze në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Kelmendi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për këtë industri.

“Politika industriale i dedikohet mbështetjes në sektorin e prodhimit, për të shpalosur potencialin e tij për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Tashmë kemi filluar zbatimin e kësaj politike ku kemi paraparë edhe shumë fusha të intervenimit dhe masa që do të përkrahin sektorët e prodhimit, rritjen dhe diversifikimin e eksporteve, përmirësimin dhe kualifikimit të fuqisë punëtore”, ka deklaruar Hajdari.

Përgjatë Konventës, kompanitë kosovare të përpunimit të drurit kanë shfaqur produktet e tyre për publikun, dhe studentët kanë ekspozuar dizajnet e tyre të mobilerisë si pjesë e Garës Studentore të Dizajnit.

Rruga Press

YouTube player