Kryeministri i Kosovës pret bashkatdhetarët në “Ballkonin e Hapur”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një pritje për bashkatdhetarët tanë në ballkonin e objektit të Kryeministrisë.
Midis shumë aktiviteteve të organizuara nga institucionet për mërgatën, si Karvani i diasporës, takimet në Kuvend, takimet nëpër ministri e mjedise publike, takimet në ngjarje kulturore, mbrëmë u mbajt pritja nga Kryeministri me bashkëatdhetarë të fushës së artit e kulturës, dhe profesionistë të fushave të ndryshme, për të bashkëbiseduar nga afër për ide dhe mundësi të reja për bashkëpunim me mërgatën.
Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë, e në Prishtinë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, tha ai.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human.
“Duke konsideruar që secili bashkatdhetar i yni në mërgatë është diplomat, e kjo nuk është e rastësishme, sepse pikërisht një bashkatdhetare të shquar, një veprimtare të palodhshme, vajzën e heroit tonë Jusuf Gërvallës e kemi kryediplomate sot në Republikën e Kosovës. Andaj, nuk ka pasur emërtim dhe nismë më të mirë sesa ajo për Diplomaci Qytetare“, tha ai.
Asaj thënies së famshme nga pak pesimiste se bashkatdhetarët po ndjehen as atje as këtu, kryeministri tha se i përgjigjemi me të kundërtën që besojmë se është e vërteta, ju jeni edhe atje edhe këtu, jeni fizikisht pjesën më të madhe të vitit jashtë atdheut, por gjithsesi gjithmonë brenda kombit.
Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë, tha Kryeministri.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar, tha kryeministri.
Në rritjen tonë ju jeni faktor shumë i rëndësishëm dhe ne besojmë që mund të jeni faktor edhe më i rëndësishëm në rritjen e mëtutjeshme, theksoi ai.
Kryeministri Kurti falënderoi bashkatdhetarët që nuk po e harrojnë asnjëherë Kosovën, vendlindjen e tyre, dhe pavarësisht se a jemi në luftë a në paqe, a jemi në një rritje të hovshme apo edhe në stagnacion e në prapambetje, gjithmonë janë kthyer në mënyrë që të çmallen me vendlindjen, por edhe ta ndihmojnë e përkrahin atdheun.
Ne ju kemi shumë borxh, një borxh të cilin nuk pretendojmë t’ua lajmë sepse e dimë që është e pamundur, mirëpo me politika të mira dhe me bashkëpunim të dendur jemi të bindur që sadopak mund ta lajmë një pjesë të vogël të këtij borxhi, i cili është aq i madh sa që i pallogaritshëm, tha Kryeministri Kurti.
Rruga Press