Bota

Kryeministri britanik Starmer takohet me producentët e serialit Adolescence, mbështet planin që të transmetohet në shkolla

Kryeministri britanik Keir Starmer u takua të hënën me krijuesit e serialit të Netflix “Adolescence”, një serial me katër episode, që trajton historinë e një djali të akuzuar për vrasjen e një shoqeje të klasës.

Seriali ka ndezur një debat të gjerë mbi ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë, shkruan Reuters.

Produksioni eksploron se si idetë e influencuerëve ‘online’, si i vetë-përshkruari mizogjinist Andrew Tate, mund të formësojnë qëndrimet e fëmijëve të varur nga telefonat inteligjentë dhe t’i shtyjnë ata drejt dhunës.

Starmer shprehu mbështetjen e tij për vendimin e Netflix për ta bërë këtë serial “revolucionar” të transmetohet falas në shkollat e gjithë vendit.

Lexo më shumë  Zelensky: 200 ekspertë ukrainas të dronëve po ndihmojnë në Lindjen e Mesme

“Si baba, duke parë këtë serial me djalin dhe vajzën time adoleshente, mund të them se pati një ndikim të madh tek unë,” deklaroi ai pas takimit me bashkë-skenaristin e “Adolescence” Jack Thorne, përfaqësues të organizatave bamirëse dhe të rinj në zyrën e tij në Downing Street.

“Siç e shoh edhe te fëmijët e mi, është thelbësore që të flasim hapur për ndryshimet në mënyrën se si ata komunikojnë, përmbajtjen që shohin dhe diskutimet që bëjnë me bashkëmoshatarët e tyre”.

Drama imersive, episodet e së cilës janë filmuar në një xhirim të vetëm dhe të pandërprerë, bëri histori në televizionin britanik këtë muaj duke u bërë seriali i parë i një platforme streaming që kryeson listat e shikueshmërisë në TV.

Lexo më shumë  Konsiderohej si njeriu kyç i Iranit në luftë - IDF: Këshilltari i sigurisë së Iranit, Ali Larijani është vrarë

Sipas të dhënave të përpiluara nga kompania e matjes së audiencës Barb, gati 6.5 milionë njerëz ndoqën episodin e parë dhe 5.9 milionë të dytin gjatë javës 10-16 mars.

Jack Thorne, i cili ka deklaruar se fëmijët nuk duhet të kenë telefona inteligjentë deri në moshën 14-vjeçare, e ka cilësuar ndikimin e maskulinitetit toksik dhe të ashtuquajturës kulturë “incel”, e cila nxit urrejtjen ndaj grave dhe vajzave, si një krizë në rritje.

YouTube player