Kryeministri Albin Kurti: Jemi gati të zgjasim dorën, nëse Serbia është gati të çlirojnë grushtet e saj
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se paqen dhe sigurinë në Evropë, përveç Rusisë, po i sfidon edhe Serbia.
“Paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia. Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta. I shohin shtetet me thjerrëza të etnisë, sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, ka thënë ai.
Kurti në një bisedë në kuadër të Forumit për Paqe në Paris, ka thënë se Kosova është e gatshme që Serbisë t’ia shtrijë dorën dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por ngriti dyshime se Serbia mund ta bëjë të njëjtën gjë.
“11 vjet më vonë marrëdhëniet nuk janë më të mira se para një dekade dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende u jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i gjykojë e t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur. Është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë janë koncesionet për ta ndarë vendin tonë në vija etnike, por nëse Serbia nuk është gati të na njohë, 5 vendet e Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë të na njohë më shpejt, duke na njohur ato fillimisht”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka thënë se ekziston rrezik përreth kufijve me Serbinë, por ka thënë se Kosova mbështetet në NATO-n.
“Rreth kufijve të Kosovës me Serbinë, ekzistojnë 48 baza të veprimit në pararojë me qindra mijëra ushtarë, 28 prej të cilave në xhandarmëri dhe 20 të tjera ushtarake. Është rrezik për vendin tonë, jemi shumë vigjilent por asnjëherë të frikësuar. Kosova nuk është në NATO, por Kosova është brenda NATO-s. Historia e Kosovës dhe e NATO-s janë të ndërthura dhe e ardhmja e tyre është e ndërthurur. Duhet sa më shpejtë të integrohemi në NATO”.
“Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe e tashmja e Putinit, sepse kjo do të na ndihmonte për ta arritur marrëveshjen, për t’iu dhënë drejtësi viktimave dhe për të arritur marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, shtoi Kurti.
Rruga Press