Art & Kulturë

Kronikë shkodrane nga Agim Morina: Nisem. Kodër më kodër e deri në Shkodër!

Nga Agim Morina

Mbresa Shkodrane (01)

Nisem. Kodër më kodër e deri në Shkodër!

Bujari më pret bujarisht, me Vlorën. Edhe fotografi, Fahredin Spahija. Dy ditë të paharrueshme në Shkodërlocen: të bukurën, fisniken, zemërgjanen. Në Festivalin Kulturor «Gegnisht».

Bujari më pret bujarisht, me Vlorën. Edhe fotografi, Fahredin Spahija. Dy ditë të paharrueshme në Shkodërlocen: të bukurën, fisniken, zemërgjanen. Në Festivalin Kulturor «Gegnisht».

Edhe, qe, e palodhshmja, Denata, organizatorja dhe mikpritësja e festivalit. Dera e madhe fisnike e Repishtëve, kopshti i tyne mbjellë me drandofila, mbesa e tij, Ardita, na pret me shurup drandofilash – përgatitë nga nana e saj – me zemër të madhe e buzëqeshje mikpritëse.

Qe edhe Primo Shllaku, shkrimtar e kritik i mprehtë, nip i Gjon Shllakut, që më pret krahëhapun e më uron mirëseardhjen.

Zonja të randa e zotnij të randë shkodranë, shkrimtarë, poetë, muzikantë e dashamirë të artit e mbushin kopshtin, tue u ba pjesë lulesh me buzëqeshjet, me dashamirësinë dhe me shqetësimin e ambël të pritjes se kur ka me nisë programi.

Kuarteti i mrekullueshme i harqeve asht ulë në njënin kand të kopshtit: Romina Tafaj, violiniste, Xhanina Çela, violiniste, Mario Guralumi, violonçelist, Elton Tola, violinist. Një flamurtar qëndron drejt dhe mban në shtizë flamurin kuqezi.

Denata e hap festivalin. Dhe bahet një shndërrim i natyrshëm i zaneve që recitojnë, kuartetit që egzekuton dhe i duertrokitjeve që kunorëzojnë përfundimin e çdo pjese të programit. Interpretues, emna të shquem e emna të rij, me radhë Merita Smaja, Rita Xheka, Altin Fani, Hea Lohja etj., recitojnë pjesë të zgjedhuna nga punët e konkurruesve të festivalit. «Njat zaman t’asaj furie» e Palokë Kurtit, mbështjell muzgun me melodi të tjera të përzgjedhuna.

Shkodra për mue nuk asht qytet me godina, rrugë e sheshe. Asht qyteti jem imagjinar, virtual, artistik prej së cilës jam ushqy gjatë gjithë jetës teme. Unë shoh edhe një radhë qytetarësh që për të tjerët janë të padukshëm. E dij se asht e vështirë me e shpjegu, por unë nëpër rrugët e Shkodrës shoh Barletin, Beçikemin, Buzukun, Bogdanin, Vaso Pashën, Luigj e Karl Gurakuqin, Fishtën, Mjedën, Shirokën, Hil Mosin, Koliqin, Idromenon, Migjenin, Prenk Jakovën, Çesk Zadenë, Silliqin, Rreshpen e shumë të tjerë. Ky asht qyteti i një lloji tjetër, Qytet i të Pamortëve.

Të gjithë ishin fitues, por të shpërblyem nga juria janë Gëzim Puka (eseja më e mirë – çmimi ‘Arshi Pipa’), Artur Baku (proza më e mirë – çmimi ‘Ernest Koliqi’), Nurije Emrullai (poezia më e mirë – çmimi ‘Ndre Mjeda’). Mue më bahet një nder i veçantë, më ndahet çmimi «Gjon Shllaku», për pëkthimin ma të mirë. Një nder ma të madh se me pasë emnin tem nën emnin e Gjon Shllakut nuk ka për mue dhe, besoj, për çdo përkthyes shqiptar. Ndërsa çmimi për personalitetin e festivalit ‘Sami Repishti’ iu dha Diana Kastratit, bijës së gjuhëtarit të shquem, Jup Kastrati.

Kthehem me poetin Lulzim, në lokomotivën e tij që nuk qet tym, por t’i qet veshët në tokë me muzikë të përzgjedhun. I hutuem mbas muhabetesh dhe sidomos prej kangës toske «Në penxherenë e zotrisë sate» (të familjes Lela), për pak e më çoi në Gostivar. Desh më mori në qafë. Sidoqoftë, më ktheu e më la në Qafë të Duhles. Ma mirë, se ka mujtë me më çu edhe në Qafë të Thanës e me mbetë unë tue folë si nëna e Muços në majë të thanës.

Rruga Press

YouTube player