Lajme

Kroatët, ne dhe serbët…

Nga Ksenofon Krisafi

Shaban Murati është personifikimi i një studiuesi shembullor të marrëdhënieve ndërkombëtare, që më shumë se me bujë e zhurmë, flet me punë, me vepra konkrete.

Kohët e fundit doli nga shtypi libri i tij më i ri, “Aleanca e duhur Shqipëri – Kroaci”, publikuar nga shtëpia botuese “Albas” me sponsorizimin e Fondacionit të mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”. Ai i kushtohet një ideje interesante, e cila në zhvillimet veçanërisht turbulente që përshkojnë kohë pas kohe Ballkanin dhe rajonet përreth tij, tingëllon me vlerë dhe aktualitet.

Në gadishullin tonë janë përvijuar prej kohësh aleanca polivalente me ndikime në të ardhmen e rajonit si dhe të paqes e sigurisë në kontinent. Prandaj studimi i kësaj çështjeje vjen në kohën e duhur.

Është i pari botim, ndoshta edhe i vetmi nga një autor nga Shqipëria për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtme të Kroacisë në Ballkan, nga pavarësia e saj deri më sot.

Libri është përmbledhje analizash profesionale fokusuar kryesisht te strategjitë diplomatike të politikës ballkanike të Kroacisë dhe ndikimet e saj në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Pjesë e tyre është edhe analiza e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kroacinë, të cilat autori i ka parë në një spektër të gjithanshëm historik, gjeopolitik, diplomatik dhe strategjik.

Përmes tyre ka dalë në konkluzionin se ato duhet të fitojnë një rol dhe peshë specifike për zhvillimet në rajon e më tej. Autori i ka konsideruar të gabuara orientimin dhe aleancat e ngushta të qeverive të Shqipërisë, me Serbinë. Shprehet për nevojën e një kthese të madhe në orientimin ballkanik të diplomacisë së Shqipërisë dhe përpiqet të argumentojë se përse Shqipëria duhet të ndërtojë marrëdhënie strategjike me Kroacinë dhe jo me Serbinë.

Për lidhjet preferenciale, që disa nga qeveritë shqiptare kanë vendosur me të, mund të mendohet se një ndër arsyet ka qenë Kosova, ndoshta si mundësi të drejtëpërdrejta për ndikime në Beograd në dobi të saj.

Por, këtu, shtrohet një çështje që është shfaqur rëndom si element problematik në politikën shqiptare, domosdoshmëria e tërheqjes reale, të vërtetë, jo sa për të fasadë, të mendimit të kualifikuar të specialistëve të fushës. Pa e shpërfillur mendimin e nëpunësve ose funksionarëve në institucione, midis të cilëve ka padyshim jo pak me vlera të pakontestueshme, duhet patur parasysh se nuk përjashtohet që midis tyre të ketë edhe nga ata që e dinë se ç’mendim duan shefat e tyre, dhe shpejtojnë t’ua përcjellin të spërkatur me disa “argumente”, në thonjëza.

Lexo më shumë  Kosova arrin vlerësimin e parë kreditor sovran, konsiderohet si pasaportë për vendin

Për marrjen e vendimeve për çështje me rëndësi primordiale në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, merr peshë edhe fjala e specialistëve të mirëfilltë, e atyre që njohin në themel aspektet teorike dhe që janë bartës të një përvoje të vyer shumëvjeçare. Të çliruar nga “vargonjtë” institucionalë, ata kanë kurajon që të flasin siç mendojnë. Shabani, i cili nuk bën kompromise me të vërtetat, është një ndër ta.

Edhe pse diplomat, madje nga më të mirët, për çështjet e politikës së jashtme të vendit, ai flet si një shqiptar erudit. Mban parasysh se bota e qytetëruar prej kohës i trajton dhe i zgjidh ato ndryshe nga Luigji i XIV, që vepronte me sloganin “L’Etat c’est moi”. Bota e sotme ka një qasje tjetër në drejtimin e shtetit, atë që bazohet mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Ai garanton zgjidhje të drejta dhe të suksesshme.  

Besnik i bindjeve dhe formimit të tij profesional, njëkohësisht i pajisur me përvojë të gjatë në fushën diplomatike dhe atë kërkimore e shkencore, ambassador Murati, flet me kompetencë për probleme, përplasje dhe ngjarje, të cilat kanë një rëndësi për zhvillimet në rajon në tërësi.

Por në këtë libër është ndalur, ka veçuar sidomos ato që ndikojnë direkt ose tërthorazi në interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar në tërësi, të ndarë në gjashtë shtete nga politikat ekspansioniste të fqinjëve të vet, të mbështetur edhe nga ana e disa prej Fuqive të Mëdha të kohës.

Ai mendon se kriza jugosllave nuk është zgjidhur ende, sepse nuk janë trajtuar jo pak çështje të lindura ose të trashëguara prej politikës shoviniste të Serbisë ndaj popujve dhe shteteve të Ballkanit, ose të inkurajuara nga llastimi i tepruar i diplomacisë europiane ndaj Serbisë, që është identifikuar si autorja autentike e gjenocidit, spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ballkan.

Njohës kompetent i rajonit dhe më gjerë, ai është marrë gjatë me zbërthimin e ngjarjeve, fakteve, që lidhen me të, me diagnostikimin dhe prognozat e të ardhmes së tij.

Autori ndjehet keq kur vëren se Serbia, e stigmatizuar botërisht si autore e një prej gjenocideve më të fundit në kontinentin e vjetër, si regjimi që përgjaku qindra mijëra njerëz të shtetit të vet të përbashkët, trajtohet butë nga një segment i caktuar politik i Perëndimit, madje, si shteti kyç i paqes dhe stabilitetit ballkanik. Në të njëjtën kohë Shqipërisë dhe disa shteteve të tjerë, me fraza inerte, deklamative, iu kërkohen pambarimisht plotësim standartesh. Edhe pse kërkesa për standarte është e drejtë, e përligjur, shndërrohet gjithësesi në padrejtësi, kur favorizohet pa të drejtë shteti simbol i mohimit global të standarteve, Serbia.

Lexo më shumë  Arsyeja e vizitës së presidentit kinez në Beograd është shumë më e thellë: Xi Jinping do ta ftojë Serbinë të anëtarësohet në BRICS

Pavarësisht motiveve, që avancohen për përligjien e këtij qëndrimi, ai ka retiçensat e veta se përse në mëndjet e disa funksionarëve në Bruksel, vazhdon të endet fantazma jugosllave, përse jugosllavizimi i rajonit rekomandohet si zgjidhje racionale. Me këtë rast përcjell te lexuesit shqetësimin se disa segmente parciale të Europës politike duan t’i japin Beogradit rolin e pamerituar të liderit rajonal.

Ata duket sikur harrojnë se ky i ashtuquajtur “lider” i ka ende gjymtyrët të përgjakur, iu ka shkaktuar fqinjëve shumë dhimbje, vuajtje, dëme. Përpara se të shfaqë pretendime për të luajtur ndonjë rol, duhet të heqë dorë nga politikat agresive dhe ekspansioniste ndaj shteteve përreth, t’i shohë dhe t’i trajtojë ata si fqinjë, duke u përpjekur të bashkëjetojë me ta.

Kjo arrihet vetëm pasi në Beograd të jetë kryer një catharsis i plotë dhe i gjithanshëm i historisë ekspansioniste, të kaluar dhe aktuale dhe pasi të jetë shprehur një pendim i thellë dhe i sinqertë për fatkeqësitë që iu ka shkaktuar popujve ballkanikë, pasi të jetë kërkuar ndjesë publike dhe të jenë paguar dëmet e pallogaritshme, morale e materiale, që iu ka shkaktuar atyre.

Ambasador Murati edhe në këtë libër shfaqet sërish si vëzhgues kurioz dhe i thellë, si analist i kujdesshëm dhe i matur në konkluzione. Kjo duket edhe kur në zhvillimet ballkanike dallon dorën e zgjatur të Rusisë dhe politikës së saj pansllaviste, e cila, sipas tij, ka marrë trajta ekstreme të një protektorati të hapur politik e ekonomik ndaj Serbisë, duke u shfaqur jo rrallë jo vetëm në deklarime të egra e kërcënuese, por edhe në ndërhyrje të hapura, brutale, veçanërisht ndaj pavarësisë së Kosovës.

Çështjet e përshkruara në librin e mësipërm, i cili i shtohet një kolane të tërë botimesh me karakter diplomatik, përfaqësojnë modele të spikatura studimesh, që sjellin një tematikë intersante diplomatike dhe gjeopolitike.

Autori prezantohet si mjeshtër i analizave të thelluara politike, të mbështetura në vëzhgimin e zhvillimeve aktuale, në përvojat historike si dhe në forcën e logjikës konkluduese.

Me librin “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”, kolegu dhe miku im, riafirmohet sërish si një diplomat me përvojë dhe studiues i shquar i marrëdhënieve ndërkombëtare, posaçërisht i atyre që zhvillohen në mozaikun e brishtë dhe kaotik ballkanik./Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player