Kroacia regjistron mbi 3,000 veteranë më shumë gjatë pandemisë
Nga marsi 2020 deri në fund të nëntorit 2021, Kroacia regjistroi 3,324 veteranë të tjerë të luftës 1991-1995, me zyrtarët që e shpjeguan rritjen e pazakontë si rezultat i ndryshimeve në procedurat e regjistrimit.
Ministria kroate e Veteranëve të Luftës tha se numri i personave që iu dha statusi zyrtar i veteranit të luftës u rrit në 3,324 nga marsi 2020 deri më 30 nëntor të këtij viti, raportoi të dielën faqja e lajmeve Index.
“Aktualisht janë të regjistruar 426,956 veteranë lufte”, tha Ministria e Veteranëve të Luftës, megjithëse të dhënat e marra nga Index nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme e bëjnë këtë shifër edhe më të lartë.
Ministria e Veteranëve të Luftës tha se arsyeja e rritjes së fundit është se disa veteranë nuk kishin të drejtë të regjistroheshin zyrtarisht deri në amendamentet e Ligjit për të Drejtat e Veteranëve të Luftës për Atdhe të Kroacisë dhe Anëtarëve të Familjeve të Tyre.
Që kur qeveria e kryeministrit Andrej Plenkoviç miratoi ligjin katër vjet më parë, 7,075 persona kanë marrë statusin e veteranit, tha gjithashtu ministria.
Statusi i veteranit ofron të drejta të shumta, duke përfshirë sigurimin shëndetësor, pension dhe klasifikimin si rast me përparësi kur aplikon për një vend pune.
Të shtunën, Plenkoviç i lavdëroi veteranët për kontributin e tyre në krijimin e një Kroacie të lirë dhe të pavarur dhe tha se ata nuk duhet të protestojnë më për të drejtat e tyre – duke iu referuar demonstratave të vitit 2015 kur qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Zoran MilanoviÇ ishte në pushtet, duke bërë thirrje për një ligj kushtetues për të mbrojtur të drejtat e veteranëve të luftës.
Plenkoviç shtoi se gjatë pesë viteve të fundit, kabineti i tij ka rritur shpenzimet për veteranët e luftës me afërsisht 500 milionë euro.
“Veteranët udhëhoqën dy beteja: e para ishte beteja për një Kroaci të lirë dhe ata dhanë maksimumin që mundën dhe patën në atë moment. Shumë veteranë dhanë jetën për lirinë – maksimumin që mundën – dhe askush nuk mund të japë më shumë për atdheun e tyre”, tha ai.
“Beteja e dytë ishte beteja për dinjitetin e veteranëve dhe të gjithë atyre që dhanë maksimumin që mundën për Kroacinë”, shtoi ai./balkaninsight/