Bota

Kroacia hyn zyrtarisht në Euro

Kroacia është zyrtarisht anëtarja e 20-të e Eurozonës. Përfshirja në bllokun që përdor monedhën e përbashkët vjen në një kohë të pafavorshme, kur inflacioni ka arritur në stratosferë dhe kur vendet anëtare vijojnë me tendencën e rrumbullakosjes së çmimeve kur aderon një vend i ri.

Por pavarësisht situatës, për vendin e vogël ballkanas bëhet fjalë për një moment unik pas bashkimit me BE-në në vitin 2013 dhe pas konfliktit brutal të armatosur të viteve ’90. Gjithashtu, hyrja në Eurozonë shihet si një tregues i integrimit të mëtejshëm evropian.

“Kjo është një ditë e madhe për BE-në dhe për unionin monetar evropian. Fakti se Kroacia do të bëhet vendi i 20-të i zonës euro është një sinjal i qartë se integrimi evropian vazhdon, pavarësisht të gjitha sfidave që kemi përpara. Ky është një mesazh i fuqishëm dhe pozitiv për të gjithë qytetarët tanë, që janë klientë të tregjeve tona,” – u shpreh Zdravko Maric, ministër i Financave në Kroaci.

Lexo më shumë  Gërvalla: Oferta e Kosovës e humbi relevancën pas mbledhjes së sotme në KiE

Ndërsa faktorët gjeopolitikë si lufta në Ukrainë po çojnë në dobësimin e valutës, duke e barazuar euron me dollarin për herë të parë në 20 vjet, perspektiva afatgjatë për Kroacinë në zonën euro shihet si një faktor stabilizues si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, pasi lehtëson investimet dhe ul kostot e këmbimit.

“Tashmë është e qartë se Kroacia, që jo shumë kohë më parë vuajti nga lufta dhe shkatërrimi, është një anëtare me të drejta të plota e bërthamës së Bashkimit Evropian. Një gjë e tillë, në këndvështrimin tim, do t’i sjellë vendit ulje të inflacionit, stabilitet monetar, rënie të normave të interesit dhe influencën politike që gëzon një vend anëtar,” – deklaroi Jacob Kirkegaard nga Fondi Marshall në Gjermani.

Kroacia do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit Qeverisës të Bankës Qendrore Evropiane më 1 janar, kur të nisë përdorimin e euros.

Një efekt më i prekshëm është fakti se asnjë nga 340 milionë banorët aktualë të zonës euro që vizitojnë Kroacinë, nuk do të kenë më nevojë të shkëmbejnë paratë e tyre.

Hyrja në eurozonë ka edhe shpërblime politike, meqë monedha e përbashkët është projekti më ambicioz i Evropës për të integruar shtetet, duke u dhënë atyre një vend në tryezat kryesore vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.

Monedha kombëtare që Kroacia do të braktisë quhet kuna. Një nga tre aktet ligjore të miratuara të martën përcakton normën e shkëmbimit midis euros dhe kunës kroate në 7,53 kuna për 1 euro.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *