Krizë e furnizimit me gaz, Gjermania kalon në fazën 2 të planit të emergjencës
Gjermania do të hyjë në fazën 2 të planit të saj me tre faza, lidhur me emergjencën e gazit.
Megjithatë, Reuters raporton se një klauzolë që do t’i lejonte ndërmarrjet të kalojnë kostot e larta të energjisë tek klientët nuk do të aktivizohet ende.
Masa është përshkallëzimi i fundit në një përplasje midis Evropës dhe Moskës që ka ekspozuar varësinë e bllokut nga furnizimet me gaz rus dhe vështirësinë për të gjetur alternativa për disa vite.
Faza 2 “faza e alarmit”, e planifikuar për kur qeveria sheh një rrezik të lartë të mungesës afatgjatë të furnizimit me gaz, teorikisht u mundëson shoqërive të kalojnë çmime të larta tek industria dhe familjet dhe në këtë mënyrë të ndihmojë në uljen e kërkesës.
Njëperson i njohur me çështjen, duke folur në kushte anonimiteti për Reuters, tha se faza e alarmit do të aktivizohet dhe dy të tjerë thanë se klauzola që lejon shoqëritë të rrisin kostot nuk do të vendoset ende në veprim.
Duke u përballur me zvogëlimin e flukseve të gazit nga furnizuesi kryesor, Rusia, ekonomia kryesore e Evropës ka qenë që nga fundi i marsit në fazën 1 të planit të saj emergjent, i cili përfshin monitorim më të rreptë të flukseve ditore dhe fokus në mbushjen e objekteve të depozitimit të gazit.
Një lëvizje në Fazën 2 ka qenë objekt spekulimesh pasi furnizuesi rus Gazprom uli flukset përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit javën e kaluar, duke fajësuar pajisjet që nuk mund të dërgohen për shkak të sanksioneve.
Në fazën e dytë, tregu është ende në gjendje të marrë vëllimin e munguar pa nevojën e ndërhyrjes së shtetit që do të çonte në fazën përfundimtare të emergjencës.
Rruga Press