Lajme

Kriza e blegtorisë, çobanët po shesin bagëtitë dhe po largohen në emigracion nga mungesa e subvencioneve

Shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve ushqyese për kafshët dhe mungesa e subvencioneve mbetet ndër arsyet kryesore që po detyron shumë blegtorë të braktisën bagëtitë dhe të largohen në emigracion.

Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ishte 19,547 krerë më pak se në 2020 (rënia 3%), numri i deleve ishte 59,000 krerë më pak (5%) dhe i gjethëve 25,000 krerë më pak (-7%).

I tillë është rasti i Martin Tartaraj nga fshati Topojan i Këlcyrës që për shkak të pamundësisë financiarë për të përballuar koston e rritjes së bagëtive dhe mungesës së subvencioneve ka nxjerrë për shitje kopenë me 400 krerë dhi. I kontaktuar nga Monitor, Martin Tartaraj tha se e ka të pamundur të përballojë ushqimin për kopenë e dhive, ndërkohë që nga shteti nuk iu miratua aplikimi për subvencione.

Me skemat mbështetëse parashikohen subvencione direkte për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1,200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360, 000 lekë për subjekt.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti udhëton për në Gjermani, do të marrë pjesë në konferencën e PES
Burimi: INSTAT

“Këtë vit në muajin shkurt aplikova për të përfituar subvencione, por kërkesa nuk u miratua dhe nuk i di arsyet e refuzimit. Ndërkohë që vjet në tokën tonë ngritëm një stallë me llamarina dhe drurë për kopenë e dhive, por u gjobitëm nga AKU me gjobë në vlerën e 1,400,000 lekëve. Në zonën tonë dimri nis shumë herët dhe me çmimet e dyfishuara të lëndëve ushqyese të kafshëve e kemi të pamundur t’i përballojmë financiarisht blerjet. Për të gjitha këto arsye jam i detyruar të nxjerr kopenë me 400 krerë dhi në shitje dhe të largohem në emigracion në Greqi apo Itali”, pohon 25-vjeçari.

Martin Tartaraj thotë se aktualisht mbajtja e bagëtive është kthyer e paleverdishme, ndërsa më parë ai prodhonte 300 litra qumësht në ditë dhe shiste 400 krerë keca.

Ervin Resuli ekspert blegtorie thotë se ka shumë fermerë që po shesin bagëtitë e tyre dhe po largohen në emigracion. “Janë të shumtë rastet e fermerëve që po shesin bagëtitë dhe po largohen në emigracion, për shkak se prej vitesh ky biznes është me humbje. Mbajtja e bagëtive për shkak të kostove të larta është kthyer e paleverdishme. Shteti duhet të ndërhyjë me politika subvencionuese për të frenuar emigrimin”, thotë ai.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Largimi i fermerëve në emigracion po dëmton edhe industrinë e përpunimit të qumështit. Kompanitë përpunuese shprehen se prej muajsh janë në vështirësi të gjetjes së qumështit dhe çmimit të lartë për shkak të kostove të shtrenjtuara për mbajtjen e bagëtive.

Sipas të dhënave të INSTAT totali i qumështit të grumbulluar në 2021 ishte me rënie rreth 4% në raport me 2020, ndërsa grumbullimi i qumështit të lopës pësoi rënie 7%, i dhisë u rrit 8% dhe i deles u rrit 26%./Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *