Kuriozitete

Krishtlindja ortodokse e Kalendarit Julian| Ja pse kremtohet më 7 janar

7 Janari është dita e Krishtlindjes për Kishat katolike lindore dhe Kishat ortodokse, që ndjekin Kalendarin Julian. Ky ndryshim nisi që kur Kisha Ortodokse në Evropën Lindore nuk e pranoi reformën e Kalendarit Gregorian të vitit 1582. Kështu dita tradicionale e 25 dhjetorit u shty dy javë më pas.

Ku festohet?

Festohet në Lindjen e Mesme, por edhe në kishën katolike greko-ukrainase. E festojnë edhe të krishterët ortodoksë që jetojnë në Rusi, Bjellorusi, Serbi, Kroaci, Maqedoni të Veriut e të tjerë. E veçantë situata në Egjipt, ku katolikët e Kairos e të Aleksandrisë, me provincat përkatëse, e kremtojnë lindjen e Krishtit më 25 dhjetor, ndërsa ata që jetojnë në Egjiptin e Epërm, e kremtojnë më 7 janar, njëherësh me ortodoksët.

Pse u zgjodh 7 janari?

Duhet pasur parasysh se në vitin 1582 Papa Gregori XIII vendosi ta modifikonte kalendarin e vjetër, vepër e Jul Çezarit, që u quajt “Julian” pikërisht për nder të Perandorit. Në të u shlyen ditët ndërmjet 5 e 14 tetorit 1582 e kështu 25 dhjetori u bë 7 janar. Disa ortodoksë e pranuan ndryshimin; Greqia, për shembull, e kremton Krishtlindjen në të njëtën datë me katolikët.

Si kremtohet?

Sipas traditës, Krishtlindja ortodokse paraprihet nga një periudhë agjërimi e lutjeje prej 40 ditësh. Nuk është agjërim i plotë: hahet peshk  të mërkurën e të premten. Për Krishtlindje ofrohen qirinj e kokrra gruri në bulim. Natën e festës agjërimi është më i rreptë: hahen vetëm kokrra gruri e fruta.

Agjërimi përfundon zakonisht në Kishë, me meshën solemne të mesnatës. Sapo përfundon lutja, besimtarët këndojnë himnin e Krishtlindjes, e në qendër të Kishës sillet ikona e festës: një  qiri i madh, simbol i Kometës. Në këtë çast agjërimi merr fund e besimtarët marrin bukën e bekuar.

Në ndryshim nga Kisha Katolike, në viset ortodokse nuk bëhet Shpella e Betlehemit, por vetëm Bredhi i Krishtlindjes. Traditat e tjera ndryshojnë sipas vendeve. Në Greqi fëmijët nuk i marrin dhuratat nga Plaku i Vitit të Ri, por nga Shën Bazili. Në Rusi, gjatë darkës hahet mjalt e hudhra, simbol i ëmbëlsisë, por edhe i idhtësisë së jetës.

Kalendari Gregorian u vendos në Shqipëri në dhjetor te vitit 1912. Kisha Ortodokse nuk e përdor Kalendarin Gregorian për llogaritjen e Pashkëve, prandaj Pashkët katolike dhe ato ortodokse nuk kremtohen në të njëjtën ditë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *