Krerët e shtetit në Kosovë takojnë ambasadorët e QUINT-it: Vetingu, parakusht për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të vettingut dhe rëndësinë për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Siç bëhet e ditur nga Zyra e Presidencës, liderët institucionalë përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vettingut.
Kjo, sipas tyre për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasistet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi.
Gjithashtu, ata përsëritën përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Vettingu nënkupton kontrollin e vazhdueshëm të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që të vlerësohet dhe garantohet përshtatshmëria e tyre për të qenë pjesë e sistemit.
Vetingu nuk ngërthen në vetvete edhe kontrollin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përveç rasteve kur perfomanca e tyre e dobët është indikator i integritetit të cenuar apo të cenueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërkaq, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2019, thekson problemet me sundim të ligjit në Kosovë, ndërsa sa i përket funksionimit të gjyqësorit, raporti identifikon se Kosova është në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi funksional gjyqësor, duke theksuar pak progres të arritur në vitin 2018.
Rruga Press