Krerët e CIA-s amerikane dhe Mossad-it izraelit diskutojnë zgjidhjet e mundshme për Gazën
Krerët e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) dhe Mossad-it të Izraelit, u takuan dje me kryeministrin e Katarit në Doha për të diskutuar hapat e ardhshëm pas një zgjatje dyditore të armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, tha për Reuters një burim i informuar për vizitën.
Takimi, tha ai, ishte për të “ndërtuar përparimin e marrëveshjes për pauzën e zgjatur humanitare dhe për të nisur diskutime të mëtejshme për fazën tjetër të një marrëveshjeje të mundshme”, tha burimi për Reuters.
Burimi, megjithatë, thekson se rezultati i bisedës ishte i paqartë.
Drejtori i CIA-s, William Burns ishte në Doha “për takime mbi konfliktin Izrael-Hamas, duke përfshirë diskutimet për pengjet”, tha një zyrtar amerikan i cili foli në kushte anonimiteti.
Ndryshe, Katari, i cili pret disa liderë politikë të Hamasit, po udhëheq negociatat mes grupit militant palestinez dhe Izraelit.
Në takim, zyrtarët diskutuan për parametrat e mundshëm të fazës së re të marrëveshjes së armëpushimit. Gjithashtu, theksohet, se ata morën parasysh se çfarë duhej për të arritur një armëpushim që do të zgjaste më shumë se disa ditë.
Përpara takimit të lartpërmendur, zyrtarët e Katarit folën me përfaqësuesit e Hamasit për të marrë një pasqyrë se çfarë mund të binte dakord grupi. Izraelitët dhe Hamasi tani po diskutojnë së brendshmi idetë e eksploruara në takim, shtoi burimi.
Armëpushimi solli pushimin e parë në Rripin e Gazës në shtatë javë, gjatë së cilës Izraeli bombardoi rëndë territorin në përgjigje të një tërbimi të dhunshëm nga persona të armatosur të Hamasit, më 7 tetor. Më pas ata vranë rreth 1,200 njerëz dhe morën peng 240 tjerë.
Izraeli, nga ana tjetër, synon të shkatërrojë Hamasin, i cili sundon Gazën. Autoritetet shëndetësore në Gaza theksojnë se gjatë bombardimeve izraelite të territorit të vogël, me popullsi të dendur, u vranë më shumë se 15 mijë persona, nga të cilët rreth 40 për qind ishin fëmijë.
Rruga Press