Krasniqi: Në Kosovë s’ka hapësirë për vendime që burojnë nga periudha e Milosheviqit
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk e ka lënë të hapur mundësinë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses lidhur me pronat e Manastirit të Deçanit. Ai ka folur edhe për peticionin e organizuar në veri për shkarkimin e kryetarëve të të katër komunave me shumicë serbe. E KQZ-ja të premten pritet të konstatojë nëse janë përmbushur kushtet për këtë votim, nëpërmjet peticioneve të realizuara nga qytetarët.
Në Kosovë nuk ka hapësirë për vendime që burojnë nga periudha e Slobodan Milosheviqit, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kur është pyetur për pronat që Kushtetuesja ia ka njohur Manastirit të Deçanit.
Vendimi i vitit 2016 i Kushtetueses nuk është zbatuar nga autoritetet lokale, me arsyetimin se me të është legalizuar vendimi i ish-presidentit serb, Milosheviq, i cili pronën e disa ndërmarrjeve shoqërore ia dhuroi Manastirit.
“Në Kosovë nuk ka hapësirë për vendimet të cilat burojnë nga periudha e Milosheviqit në Kosovë. Secili vendim në Republikën e Kosovës duhet të ketë ndërprerje nga ajo periudhë kohore”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndonëse nuk ka pranuar të flasë në lidhje me veprimet e paralajmëruara të Qeverisë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, Krasniqi ka thënë se duhet të ketë “një pasqyrë se ku e kanë burimin këto vendime dhe këto probleme”.
Këto komente ministri i Pushtetit Lokal i bëri gjatë diskutimit me temën “Efikasiteti dhe ndikimi i peticioneve të qytetarëve si mjet i ushtrimit të të drejtave dhe ndryshimeve në shoqëri”.
Duke folur për nismën për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore, Krasniqi është shprehur i bindur se qytetarët nuk do të kenë problem në sigurimin e përqindjes së nevojshme për ta iniciuar procesin e votimit.
“50 për qind nuk do të duhej të kishte asnjë vështirësi, por është përgjegjësi e jona, e pushtetit qendror që të garantojmë jo vetëm zgjedhje mirëpo edhe fushatë paraelektorale edhe proces të rregullt zgjedhor në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo do të jetë sfida tash”, ka thënë tutje ai.
Shkarkimi i kryetarëve në veri përmes peticionit nuk është parë mënyra më e duhur nga përfaqësuesit politikë serbë që morën pjesë në diskutim.
Debat mes pjesëmarrësve nxiti edhe interpretimi i Ligjit për të drejtën e qytetarëve për peticion.
“Më falni z. Uglanin, ose jeni gjysmanalfabet ose po jepni detaje gjysmake lidhur me të gjitha ligjet”, u shpreh Aleksandër Arsenijeviq, kryetar i “Demokracia Serbe”
“E konsideroj fyerje të nderit që dikush të më quaj analfabet. Unë nuk do ta thosha këtë për z. Arsenijeviq, siç tha ai për mua… Por këtë le ta mbajë për vete, e jo për publikun. Sigurisht se jam më i arsimuar sesa ju”, u kundërpërgjigj Nexhat Ugljanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se të premten do të prezantohet raporti i verifikimit të nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e katër kryetarëve në veri.
Rruga Press