Kraki: Pas luftës në Ukrainë, Franca do t’i zbusë qëndrimet ndaj Ballkanit Perëndimor
Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki, ka thënë se në zgjedhjet e fundit në Francë fituan të gjithë.
Ai në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se ka fituar edhe Evropa, pasi Franca dhe Gjermania janë motori i Evropës.
Kraki ka thënë se një Francë në duart e një kaste politike që është kundër vlerave të BE-së, do të ishte tragjike.
Ai ka thënë se pas luftës në Ukrainë, Franca do t’i zbusë qëndrimet ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Si themeluese e Bashkimit Evropian, Franca nuk duhej t’ia lejonte të shpërfytyrohej. Janë zgjedhjet e para që Le Pen votohet edhe nga njerëz që nuk kanë ideologji nacionaliste. Ideologjia e saj, vija politike dhe programi i saj mbeten neo-fashist. Në Francë ka shumë të huaj por që llogaritën të jenë francez. Për ekstremin e djathtë nuk je francez tamam nëse nuk je i krishterë dhe nëse nuk ke emër dhe mbiemër francez. Në kampin e votuesve të Le Pen ka njerëz që nuk janë të bardhë dhe që nuk janë të krishterë e po ashtu nuk janë edhe francezë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në Francë zgjedhjet legjislative mbahen me sistem zgjedhor mazhoritar.
Sipas tij, një sistem i tillë ua ka margjinalizuar partive të tilla që të kenë shumë deputetë.
Kraki ka thënë se fitorja e Macronit është fitore bindëse. Por, ka shtuar se ai nuk mund t’i adresojë asnjë nga idetë e djathta.
“Ka fituar sepse ishte i vetmi kandidat normal, me program normal, me bindje dhe ide të qarta, me ide vizionare. Atë që Macron e pagoi në vota është arroganca. Klasa popullore që e ka votuar Le Penin janë me nivel të studimeve më të ulët. Ata nuk kanë shumë ideologji, presin që fuqia blerëse të rritet, çmimi i naftës të ulët. Ata nuk janë pjesë e ideologjisë fashiste të kësaj partie”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se në Francë nuk do të ketë asnjë ndryshim para zgjedhjeve të legjislativit.
Kraki ka thënë se me rrethanat e reja që janë krijuar në Ukrainë, Franca do të zbutë qëndrim ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të futet me urgjencë në BE në mënyrë që të përmbyllet cikli i integrimit dhe gjeografia e Bashkimit Evropian./koha/
Rruga Press