KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme
Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të personave jashtë Kosovës, do të bëhet në një fazë të mëvonshme.
Sipas Valmir Elezit, zëdhënës në KQZ, numërimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pasi të përfundojnë numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit.
Sipas tij, të dhënat preliminare, tregojnë se numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15 mijë e 352 nga 20 mijë e 324.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime.
“Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10%. (Kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit), tha ai.
Elezi tutje tha se në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924 votues.
“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Lidhur me numrin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, ju njoftoj se së shpejti do të kemi të dhënat për të gjitha komunat”, sqaroi ai.
Rruga Press