Lajme

KPK ndërpret procesin, Gjyqtari Ahmet Metaliaj dorëhiqet pas rezultateve

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës, Ahmet Metaliaj, për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra, pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ që kishte nisur para një viti e gjysmë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK-ja, vendosi më 30 gusht 2021, të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Ahmet Metaliaj, dhe t’i heqë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, pas dorëheqjes së tij nga detyra. Në vendimin e arsyetuar të KPK-së thuhet se procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Metaliaj ka filluar në nëntor të vitit 2019.

Më 11 maj, Komisioni i ka njoftuar Metaliajt rezultatet e hetimit administrativ, ndërkohë një muaj më vonë subjekti ka njoftuar se ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën e tij për dorëheqje.

Me vendimin e datës 6 korrik 2021, KLGJ-ja ka deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit për Metaliajn për shkak të dorëheqjes së tij. Megjithëse Komisioni i ka dhënë Metaliajt të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, ai e ka refuzuar.

Bazuar në legjislacionin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Ahmet Metaliaj.

Lexo më shumë  Shqipëria humb 4% të nxënësve të fillores në një vit, rënia shumë më e fortë se në BE

Gjithashtu, është vendosur edhe ndalimi i emërimit të tij, si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Bashkëshortja e gjyqtarit Ahmet Metaliaj, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Enkelejda Metaliaj, u konfirmua në detyrë më 26 prill, pasi Komisioni vendosi ta përjashtojë nga barra e provës për një apartament që u konsiderua se ishte krijuar nga bashkëshorti para martesës mes tyre.

Ajo kishte deklaruar blerjen e dy apartamenteve në shtator të vitit 2011 në Tiranë, një me sipërfaqe 96 m2 për çmimin 30 mijë e 720 dollarë dhe tjetrin me sipërfaqe 76 m2 në shumën 24 mijë e 320 dollarë. Metaliaj ka shpjeguar se këto apartamente ndodhen në të njëjtin kat të të njëjtit pallat dhe se janë të bashkuara.

Komisioni nuk i kaloi barrë prove gjyqtares Metaliaj për burimin e krijimit të apartamentit me sipërfaqe 96 m2, duke konkluduar se është provuar që kjo pasuri të jetë krijuar para lidhjes së martesës nga bashkëshorti i subjektit, i cili edhe ai ishte subjekt i ligjit të rivlerësimit dhe në atë kohë po kryhej tjetër proces vetingu.

Lexo më shumë  Serbë nga fronti në Ukrainë me mesazhe kërcënuese për Kosovën (Video)

Komisioni është ndalur gjatë në analizën e burimit të krijimit të apartamentit tjetër bashkëngjitur, me sipërfaqe 76 m2. Si burim financiar për blerjen e kësaj pasurie, Metaliaj ka deklaruar një hua të marrë nga bashkëshorti prej vëllait të tij, në shumën 35 mijë euro.

Megjithëse gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 25 mars, u evidentua se nga hetimi administrativ paraprak ishte konstatuar mungesë dokumentacioni për të provuar ligjshmërinë e huasë së dhënë nga kunati, KPK-ja konkludoi se gjyqtarja Metaliaj, me shpjegimet, provat dhe interpretimin ligjor, arriti të provojë burimin e ligjshëm.

Pasaktësitë në deklarimin e pasurive u çmuan të mjaftueshme për shkarkimin e saj, pasi sipas Komisionit, nuk është konstatuar që të kenë ndikuar në cenimin e burimit të krijimit të pasurive./BIRN

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *