Kosovë/Miratohet në parim Projektligji që parasheh reformimin e ndihmës sociale, ndahen 47 milionë euro kredi
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se vlera e këtij projekti është 47 milionë euro dhe si marrëveshje do t’i mundësojë qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e reformës së sistemit të ndihmës sociale.
“Me qëllim të projektimit të asistencës sociale të familjeve në nevoje, ne si ministri kemi nënshkruar marrëveshjen për financimin e këtij projekti. Vlera totale e projektit pritet të jetë 47 milionë euro dhe i mundëson Qeverisë së Kosovës të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale, ku përmes testit të varfërisë do të synohen më mirë mjetet që shkojnë për asistencë sociale”, tha Murati.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të dijë se ku shkojnë këto mjete, derisa tha se më herët janë marrë kredi për investime kapitale dhe tashmë po merret për të financuar skemat sociale.
“Në të kaluarën ne kemi marrë kredi për investime kapitale, ndërsa tani po marrim per skema sociale. Po ashtu, ju vet keni qenë më i zëshëm në këtë drejtim”, tha Hoti.
Banka Botërore kishte njoftuar se ka miratuar këtë projekt, ku vlera e ndarë është 47 milionë euro kredi nga IDA me afat të shlyerjes për 30 vjet.
“Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19. Banka Botërore i mbështet përpjekjet e Kosovës për ta reformuar Skemën e Ndihmës Sociale, në mënyrë që ajo të jetë më e paanshme, më efikase dhe më fleksibile, dhe kështu më e pajisur për të reaguar ndaj krizave në të ardhmen”, kishte njoftuar BB.
Rruga Press