Kosova vazhdon armatimin, Ministria përgenjështron “marrëveshjet e publikuara”
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka demantuar disa dokumente, të cilat pretendohej se janë marrëveshjet e Kosovës me autoritetet turke për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake, pas dronëve “Bajraktarë”. Dokumentet përmbanin vlera multimilionëshe. Pos demantit, Qeveria megjithatë ka thënë se është duke vazhduar me investime në armatim.
“Blerjet dhe detajet e kontratave të investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake janë të klasifikuara dhe rrjedhimisht jo të hapura për publikun. Prandaj përtej shkrimit që mund ta gjeni të publikuar në faqen e ministrisë për këtë temë nuk mund të ndajmë informacione të tjera me ju. Sa i përket marrëveshjeve që keni bashkëngjitur e që janë publikuar në disa portale, demantojmë vërtetësinë e tyre”, thuhet në një përgjigje të MM-së për KOHËN.
Megjithatë, Ministria ka konfirmuar se investimet po vazhdojnë sipas Planit të Tranzicionit.
“Ajo çfarë mund të konfirmojmë është që investimet në arsenal ushtarak po vazhdojnë në përputhje me Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, në koordinim me partnerët tanë strategjik dhe konform standardeve të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ditë më parë, Kosova zyrtarizoi blerjen e dronëve “Bayraktar” nga Turqia. KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për gjashtë të tillë që i janë shtuar arsenalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të cilët kanë ardhur në muajin maj.
Rruga Press