Opinion/Aktualitet

Kosova ndal referendumin serb, Kraki: Nuk do të ketë tensione. Diplomatët e fjetur, presin që situata të rregullohet vetë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Lidhur me rezolutën kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, analisti, Nezir Kraki, pohon se me të drejtë qeveria nuk e lejon një gjë të tillë, duke theksuar se nuk do ketë tensione mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për edicionin informativ në RTV Ora me gazetaren, Besmira Pelushaj, Kraki thotë se nuk ka shtet në botë që do lejonte një vend tjetër të organizonte referendum, duke e konsideruar terrenin si të vetin, ashtu sikur pretendon Serbia për Kosovën.  

Kraki: Si mund ta lejonte Kosova një gjë të tillë? Nuk ka shtet në botë, që e lejon një shtet tjetër të hap qendra votimi dhe të organizojë referendume, duke konsideruar që ai territor i takon. Nuk ka as diplomatë amerikanë, as gjermanë që nuk e kuptojnë sqarimin e qeverisë së Kosovës në këtë rast. Nuk ekziston mundësi që në një të ardhme të ketë konflikt, apo tensione mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.  Nuk ka gjasa të ndodh tensionim.  Kosova ka punuar  shumë të ketë një qeveri legjitime. Tashmë temat që janë në të mirë të Kosovës janë rikthyer mbi tavolinë dhe konsiderohen si normale, sepse deri tani shkohej në Bruksel me idenë ccfarë do t’i japim Serbisë. Serbët e Kosovës me dy shtetësi mund të shkojnë të votojnë në Serbi, edhe përmes zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

Ndër të tjera Kraki përshëndet vendimin e qeverisë Kurti, dhe komenton presionin e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës për kundërshtimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.  

Ai thotë se qëllimi i diplomatëve është ruajtja e stabilitetit në rajon dhe se duan që të kryejnë mandatet e tyre me qetësi, duke mos ndërmarrë asnjë masë për zgjidhjen e tyre. Kraki thotë se diplomatët presin që situata të rregullohen vetvetiu.

Kraki: Unë e përshëndes qëndrimin e qeverisë Kurti. Presioni i diplomatëve të huaj, qëllimi primar i diplomatëve vitet e fundit ka qenë ruajtja e stabilitetit, një farë stabilokracie. Diplomati i BE në Prishtinë, nëse në Kosovë lëvizin gjërat, atij i krijohet punë. Ata nuk kanë dëshirë të merren me dosjet e Ballkanit, atyre u intereson  t’i kryejnë mandatet në mënyrë sa më të qetë. Në momentin kur Kosova i rikujton se jemi shtet sovran, diplomatët duhet të mobilizohen. Por kush të mobilizohet, këta të njëjtit që janë të fjetur dhe presin që situata në terren te rregullohet vetvetiu./oranews/

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Rruga Press

YouTube player