Kosova marrëveshje me Shqipërinë për pasqyrimin e krimeve të luftës
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, duke hapur një rrugë për një bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve.
Kjo marrëveshje synon shkëmbimin e dokumenteve arkivore dhe intensifikimin e bashkëpunimit profesional në fushën e studimeve historike për të kuptuar më mirë ngjarjet e luftës që kanë ndodhur në dy vendet.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido, gjatë nënshkrimit të memorandumit theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke deklaruar: “Ne nuk mund të mësojmë çfarë ka ndodhur në Kosovë pa mësuar çfarë ka ndodhur në Shqipëri, dhe nuk mund të mësojmë çfarë ka ndodhur në Shqipëri pa mësuar çfarë ka ndodhur në Kosovë.”
Bashkëpunimi do të përfshijë ndërveprimin e ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave, duke përmirësuar ruajtjen e kujtesës historike dhe duke thelluar studimet që ndihmojnë në kuptimin më të plotë të ngjarjeve të luftës.
Gjatë vizitës së tij në IKKL, Bido vlerësoi përkushtimin e institucioneve kosovare për të ruajtur historinë e vendit, duke e quajtur një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve kulturore dhe historike mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ky bashkëpunim do të forcojë lidhjet tona kulturore dhe historike, duke sjellë një dritë të re mbi të kaluarën tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Rruga Press