KryesoreLajme

Kosova gëzon mbështetjen e Suedisë për anëtarësim në BE e NATO

Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, dhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, kanë deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në rrugën e saj për tu anëtarësuar në aleancën më të fuqishme ushtarake ne botë.


Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës lëkundi themelet e sigurisë evropiane.
Kjo luftë ndikoi edhe tek Suedia, një shtet që njihej me histori të gjatë neutraliteti dhe qëndrimi jashtë aleancave ushtarake.


Me ndryshimin e rrethanave vetëm disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia vendosi t’i bashkohej aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.

Kosova aspiron që një ditë të bëhet pjesë e kësaj aleance ushtarake.


Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, tha se Kosova ka çfarë të mësojë nga Suedia për t’u bërë pjesë e NATO-s.


Bouveng  e cila është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje, deklaroi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në këtë proces.


“Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim te madh në Evropë. Si pasojë e kësaj lufte edhe Suedia i ndryshoi qëndrimet. E pamë se në këto kohëra sfiduese nuk mund të qëndrojmë të vetëm andaj vendosëm për ndryshime. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte i domosdoshëm, prandaj iu bashkuam aleancës së bashku me Finlandën. Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në strukturat e NATO-s. Suedia e mbështet seriozisht Kosovën për t’u bërë partnere në BE dhe në NATO, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Bouveng për Tëvë1.

Lexo më shumë  Protesta e opozitës, qytetarët nga rrethet marshojnë drejt Tiranës


Disa rekomandime për Kosovën për rrugën drejt aleancës veri-atlantike i ka edhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund.


“Suedia bëri kthesë të jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ne nuk kemi qenë në luftë që nga viti 1814, që është një kohë shumë e gjatë. Kështu pra u desh të ndryshonte  i gjithë mentaliteti i shoqërisë suedeze. Ne aplikuam për tu bërë pjesë e NATO-s, vetëm tre muaj pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Tani po ndërtojmë ngadalë forcat tona të armatosura dhe po kontribuojmë në mbrojtjen e Ukrainës. Disa nga rekomandimet për Kosovën është që të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse në kuadër te NATO-s. Është e rëndësishme që të mos përqendroheni vetëm në forcat tuaja të armatosura, por edhe në aftësitë tuaja të mbrojtjes civile”, tha Westerlund.Diplomati suedez i kupton shumë mirë sfidat me të cilat përballet Kosova për tu anëtarësuar në NATO, duke nënvizuar këtu 4-shtetet mos-njohëse.

Lexo më shumë  Kosova përballë 111 reformave për të siguruar mbi 882 milionë euro nga BE-ja


Megjithatë ai shprehet optimist se këto çështje do të zgjidhen në të ardhmen përmes dialogut, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që t’i forcoj marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera anëtare të aleancës.
“Është fakt që disa prej shteteve anëtare të NATO-s akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të mos ndalet dhe të zhvilloj dialog me ato shtete për t’i zgjidhur këto çështje. Ndërkohë Kosova mund të zhvilloj marrëdhënie të mira bilaterale me shtetet e tjera brenda NATO-s si dhe të bashkëpunojë  ngushtë me to”, tha ai.


Suedia u bashkua me NATO-n më 7 mars të këtij viti, duke e zgjeruar aleancën në 32 shtete anëtare.
Rrjeti Alumni Suedez në Kosovë në bashkëpunim me ambasadën suedeze të premten organizoi konferencën “Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, mësimet e nxjerra nga Suedia”

Rruga Press

YouTube player