Lajme

Emërimi i Hovenierit ambasador një mesazh i fuqishëm i Bidenit

Emërimi i Jeffrey Hovenierit ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë po shihet si mesazh i fuqishëm i presidentit Joe Biden për Kosovën, në sytë e ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Në një shkrim në Facebook, Gërvalla teksa i ka uruar mirëseardhje në Kosovë Hovenierit, ka thënë se ai është njohës dhe mik i dëshmuar i Kosovës.

“Emërimi pikërisht i ambasadorit Jeffrey Hovenier, një njohësi dhe miku të dëshmuar të Kosovës, mund të kuptohet si një mesazh i fuqishëm i Presidentit Biden drejtuar qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë ajo në një shkrim në Facebook. “Ambasadori Hovenier ka një përvojë të pasur në rajonin tonë. Si pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje, Ambasadori Hovenier i përket asaj plejade të politikanëve dhe diplomatëve amerikanë, të cilët në orët më të vështira ndihmuan në shpëtimin e Kosovës dhe trasimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë kontribut, ashtu si edhe Amerika nuk na harroi asnjëherë.”

Lexo më shumë  Ambasadori i Kosovës flet në Bruksel kundër kushtëzimit të Planit të Rritjes me dialogun me Serbinë

Hovenier të hënën dorëzoi letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani. Në ditën e parë, ai fokusin e angazhimit e vendosi te punët e papërfunduara që ka Kosova. Pas takimit me presidenten Osmani, Hoveiner bëri homazhi të varri i presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa agjendën e takimeve e përfundoi me kryeministrin Albin Kurti. Kryeministri foli më shumë për problemet e brendshme të cilat mund të adresohen në koordinim me ambasadorin e ri amerikan.

Njohës të çështjeve diplomatike emërimin e Hovenierit e kanë parë si pjesë paralajmëruese e fushatës intenzive që mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi.

Hovenier u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara.

Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.

Rruga Press

YouTube player