KryesoreLajme

Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë deklaratë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

Kosova ka forcuar edhe më tej marrëdhëniet e saj ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, pas nënshkrimit të një Deklarate të Qëllimit të përbashkët me Belgjikën.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe forcimin e lidhjeve ushtarake mes dy vendeve.

Lexo më shumë  24 pjesëtarë të Njësive Speciale certifikohen për aftësi të veçanta

“Sot, me kënaqësi njoftoj se kemi nënshkruar Deklaratën e Qëllimit të përbashkët me Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Belgjikës. Ky është një hap i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve tona bilaterale në fushën e mbrojtjes. Angazhohemi të bashkëpunojmë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, lehtësimin e shkëmbimeve dhe forcimin e lidhjeve ushtarake për të përballuar sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas këtij nënshkrimi, duke e cilësuar Belgjikën si një aleate të kahershme të Kosovës.

“Belgjika është mike e aleate e jona e kamotshme. Tani, partnere edhe në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar Kurti.

Ky bashkëpunim pritet të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

YouTube player