Kosova dhe Austria nënshkruajnë deklaratë bashkëpunimi në drejtësi
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Drejtësisë e Federatës së Austrisë, Alma Zadiq, kanë nënshkruar një deklaratë bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.
Pas pritjes që i është organizuar ministres Zadiq në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, dy ministret nënshkruan deklaratën e cila sipas tyre lidhet me sundimin e ligjit.
Haxhiu tha se deklarata e nënshkruar bazohet në përpjekjet e ndërsjella për të forcuar marrëdhëniet miqësore historike midis Kosovës dhe Austrisë.
“Republika e Kosovës me këtë rast do të përfitojë nga përvoja austriake në fushën e legjislacionit, reformave ligjore, teknologjisë informative, trajnimeve në fushën e drejtësisë dhe administrimit të drejtësisë”, theksoi Haxhiu.
Ajo tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë vetëm se kanë nisur të intensifikohen në çështje të rëndësishme penale dhe civile.
Ministrja austriake, nga ana e saj, inkurajoi vazhdimin e reformave të ndërmarra nga Kosova në fushën e drejtësisë.
Zadiq tha se situata politike në Kosovë është komplekse dhe zbatimi i reformave është e vështirë dhe për këtë duhet vullnet politik për të ndërmarrë ndryshime.
“Ne si Qeveri Austriake dhe si Ministri e Drejtësisë do ta përkrahim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe Brukselit. Sepse, siç e thash edhe gjatë takimit, ne kemi nevojë ta mbyllim zbrazëtinë në hartën Evropiane dhe ky duhet të jetë objektivi ynë, i gjithë shteteve anëtare, ta integrojnë Kosovën sa më shpejtë të jetë e mundur në Bashkimin Evropian. Kjo është e mirë për prosperitetin, për jetëgjatësinë e paqes në Evropë dhe është e mirë për rajonin dhe vet Kosovën”, theksoi Zadiq.
Ministrja austriake qëndroi gjatë ditës për një vizitë edhe në qytetin e Prizrenit.
Rruga Press