“Korrupsioni i frikshëm në Shqipëri”, Prokurori italian: Mafia e lidhur me zyrtarë!
Një nga prokurorët më të shquar italian në luftën kundër mafias në vendin e tij, ka komentuar së fundmi edhe situatën me grupet e krimit të organizuar nga Shqipëria që operojnë në Itali, duke vendosur theksin te korrupsioni në vendin tonë që i stimulon financiarisht ato.
Nicola Gratteri e cilësoi mafian shqiptare si ndër tre më të rrezikshmet në Europë, teksa i përgjigjej pyetjeve në një intervistë të dhënë për emisionin “Mushka e egër” i cili ka më shumë se 1 milion ndjekës në YouTube.
Sipas tij mafia shqiptare është pasuruar shumë në Shqipëri falë korrupsionit të frikshëm që ka mbërthyer vendin tonë, ku është e lehtë të komprometosh funksionarë publikë.
“Sot ka tre mafie, është Ndragheta, është mafia shqiptare, e cila nuk është më ajo e grabitjeve të vilave, mafia shqiptare është mjaft e strukturuar, që është pasuruar në vendin e saj falë një korrupsioni të frikshëm, dhe më pas është mafia e brezit të tretë të afrikano-jugorëve”, tha ai.
Edhe më parë prokurori italian Nicola Gratteri, kishte ngritur alarmin për shpërthimin e mafies shqiptare në Europë duke kontrolluar trafiqe të rëndësishme, si ai i kokainës nga vendet e Amerikës Latine.
Sipas tij, nëse del me pushtet ekonomik falë korrupsionit nga Shqipëria, arrin të forcohesh si mafje ndërkombëtare.
Rruga Press