Lajme

Koordinatorja e OKB-së e vlerëson pozitivisht procesin e regjistrimit

Procesi i regjistrimit të popullsisë po shkon drejt fazës përmbyllëse. Deri më tash sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë regjistruar mbi 1.2 milionë qytetarë, derisa deri më 17 maj, kur përfundon ky proces ka mbetur të regjistrohet edhe një pjesë e popullsisë.

E ky proces është përcjellë nga afër edhe nga ekspertët e OKB-së. Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spance, në emisionin e “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ka thënë se janë të kënaqur me rrjedhën e këtij procesi.

“Kombet e Bashkuara kanë qenë partnere dhe mbështetëse në këtë proces, nga përgatitja deri tek zbatimi. Tash e përkrahim analizimin dhe mbledhjen e të dhënave. Gjithashtu një mision i ekspertëve ka qenë për vizitë rreth dy javë për ta mbështetur këtë proces rreth të dhënave me kualitet dhe cilësi”, ka thënë Spance.

Lexo më shumë  Osmani bashkëbisedim me Hillary Clinton: Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia

Sipas saj deri tash zbatimi i këtij procesi ka shkuar sipas planit, derisa ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit.

“Dua të inkurajoj të gjithë qytetarët që të regjistrohen sepse kjo në njëfarë mënyre do të sigurojë rezultatet e sakta. Gjetjet janë pozitive në krahasim me disa vende të tjera të botës”, ka shtuar ajo.

Sa i përket gjetjeve në terren, Spance e tregoi edhe një veçori të cilën e kishte parë gjatë procesit të regjistrimit.

Lexo më shumë  Kurti uron Plenkoviqin: Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë

“Shqiptarët dhe serbët punonin së bashku në ekip dhe ishin të vendosur të arrinin  çdo shtëpi. Kjo është inkurajuese”, ka theksuar  Spance.

E lidhur me komentet dhe ankesat e njerëzve në rrjetet sociale se në vendbanimin e tyre nuk kanë ardhur ende personat përgjegjës për ta kryer këtë shërbim ose nuk kanë qenë të pranishëm gjatë vizitës që ata kanë bërë në shtëpitë e tyre, ajo ka thënë se të gjitha shtëpitë do të vizitohen disa herë nga regjistruesit, derisa të kryhet regjistrimi i qytetarëve.

Rruga Press

YouTube player