Kontrasti/ Rrugët e Shqipërisë të zhytura në kaos, Kosova shembullore me pastrimin e dëborës (VIDEO)
Prej më shumë se 24 orësh, e gjithë Shqipëria nga veriu në jug është e zhytur në kaos për shkak të reshjeve të dëborës.
Jo vetëm akse rurale dhe zonat e thella malore, por edhe rrugët nacionale në vendin tonë janë bllokuar për orë dhe orë të tëra kurse qytetarët e kanë të pamundur për të lëvizur me automjetet e tyre.
E gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak se autoritetet e pushtetit vendor dhe lokal e kanë të pamundur për të zhbllokuar rrugët duke lënë në “mëshirë të fatit” dhe të izoluar qytetarët kryesisht në veri dhe jug-lindje të Shqipërisë, aty ku reshjet e dëborës kanë qenë më intensive.
Borëpastrueset e pakta në numër mungojnë në zonat problematike, ndërsa në shumë akse kombëtare vihet re prezenca e madhe e akullit për shkak se mungon kriposja e rrugëve.
Kosova gjithmonë bëhet një shembull i mirë se si duhet të punojnë autoritetet për të zhbllokuar rrugët nga dëbora.
Pavarësisht se reshjet e dëborës kanë qenë më intensive krahasuar me Shqipërinë, situata e rrugëve në Kosovë është shembullore dhe çdo aks është i aksesueshëm.
Siç mund ta shihni në videon më poshtë, autoritetet e Kosovës tregojnë një shembull se si duhet të pastrohen rrugët nga dëbora, ndërsa qytetarët lëvizin lirshëm me automjetet e tyre. Tre automjete të reja borëpastruese njëra pas tjetrës vijojnë njëkohësisht punën pa u ndalur duke hequr dëborën dhe njëkohësisht nga pas hedhin kripë.
Kjo është arsyeja përse në Kosovë nuk bllokohen akset nga dëbora, ndërsa në Shqipëri mungesa e atomjeteve borëpastruese kanë futur në kaos akset nacionale.
Një kontrast i madh vjen nga ‘Rruga e Kombit’ ku në territorin Shqiptar situata është kaotike pasi raportohen shumë aksidente si pasojë e mungesës së borëpastrueseve.
Në të njëjtën rrugë në territorin e Kosovës situata është krejt tjetër pasi autoritetet ndodhen në terren duke zhbllokuar në mënyrë shembullore aksin që lidh dy shtetet.