Kontradikta franceze/ Putini e Zelensky mbajnë titullin e “nderit të lartë”, Macroni konsideron t’ia heq njërit
Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se po konsideron t’ia heq presidentit rus Vladimir Putin titullin e nderit të lartë që iu dha nga Franca, vite më parë.
Putinit iu dha medalja e Legjionit të Nderit në vitin 2006 nga ish-presidenti francez Zhak Shirak.
Titulli është urdhri më i lartë francez i meritës, ushtarake dhe civile, dhe u krijua në vitin 1802 nga Napoleon Bonaparte.
Por Macron tha se ai po pret “momentin e duhur” për t’ia hequr titullin presidentit rus.
Ai po fliste kur i dha të njëjtin titull presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën.
Macron tha se çështja e medaljes së Putinit ishte “simbolike, por e rëndësishme”.
Derisa presidenti francez tha se besonte se kishte të drejtë të revokonte nderin, ai shtoi: “Nuk është një vendim që kam marrë sot”.
Vendime të tilla “janë gjithmonë kuptimplotë dhe mendoj se duhet të vlerësoni momentin e duhur për t’i marrë ato”, tha ai.
Rruga Press