KryesoreLajme

Konjufca në Estoni në takime të nivelit të lartë me Kryetarin e Kuvendit, Presidentin dhe Kryeministren estoneze

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka qenë për vizitë zyrtare në Estoni ku ka zhvilluar takime të shumta dhe të nivelit të lartë me krerët e këtij shteti. Estonia është një ndër shtetet që e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj dhe me anë të kësaj vizite u përforcuan më shumë këto marrëdhënie.

Si një shtet i cili kërcënohet nga Rusia, krerët e këtij shteti treguan përkrahjen ndaj Kosovës e cila nga ana tjetër kërcënohet nga miku i Rusisë, Serbia.

Postimet e plota më poshtë:

Vizitën time zyrtare në Estoni e nisa më së miri duke takuar homologun tim estonez, z. Lauri Hussar, Kryetarin e Riigikogu-t, Kuvendit të Republikës së Estonisë.

Fillimi i takimeve politike në një vend me të cilin ndajmë partneritetin strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, me të cilin na lidh bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë, më dha kënaqësi të veçantë, e që u rrit edhe më shumë nga pritja e ngrohtë miqësore e z. Hussar, të cilin e falënderova për këtë.

E po ashtu, i tregova mirënjohjen tonë për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Z. Hussar më konfirmoi se mbështetja e shtetit estonez do të vazhdojë, e së bashku u pajtuam për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve tona, përmes shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Me z. Lauri Hussar biseduam edhe për situatën politike në vendet tona përkatëse, duke theksuar se përveç interesave ndajmë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit. Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit.

Përgjatë ditës së sotme, në vazhdë të vizitës zyrtare në Estoni, u prita në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, z. Alar Karis.

Presidentin estonez e falënderova për pritjen e ngrohtë dhe i tregova mirënjohje për mbështetjen që shteti estonez ka treguar ndaj Republikës së Kosovës, synimeve tona për integrim në strukturat evropiane apo ndërkombëtare.

Diskutuam për bashkëpunimin e deritanishëm mes nesh, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes vendeve tona që ndajnë interesa, vlera dhe qëllime të përbashkët.

Z. Alan Karis e njoftova me situatën politike në vendin tonë, ku vlen të theksohet se ne mbetemi maksimalisht të përkushtuar ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!

Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdo herë e më pranë, gjithnjë e më shumë.

Në Talin, në ambientet e qeverisë estoneze, pata nderin e veçantë të pritesha nga Kryeministrja e Republikës së Estonisë, znj. Kaja Kallas.

Nga ana ime, shpreha falënderimin për mbështetjen e popullit dhe shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e saj.

Nga përpjekjet e shtetndërtimit, zhvillimit shtetëror, e deri te proceset integruese, është një gamë e gjerë e forcimit të marrëdhënieve tona.

Estonia dhe gjithë Evropa kanë sot një rrezik të përbashkët, rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme. E në këtë kuptim, znj. Kallas i solla në vëmendje se Serbia mbetet ndër të vetmet vende në Evropë që refuzon të bëhet pjesë e sanksioneve anti-ruse.

E ftova kryeministren e vendit mik të na ofrojnë asistimin e tyre në fushën e reformave ligjore dhe infrastrukturës zbatuese, me theks të veçantë në arsim dhe teknologji të lartë.

Znj. Kallas më garantoi për vendosmërinë e thellimit të marrëdhënieve tona në të gjithë sektorët.

Rruga Press

YouTube player