KryesoreLajme

Konfirmohet identiteti i tri viktimave nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Është konfirmuar identiteti i tri viktimave eshtrat e të cilëve u gjetën në varrezat masive në Zubin-Potok muajt e fundit. Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë.

Tre viktimat janë konfirmuar të jenë personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. 

“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe”, ka shkruar Kurti.

Lexo më shumë  Konjufca pret ambasadorin e ri të Belgjikës në Kosovë

Kurti ka shtuar se menjëherë janë njoftuar familjes e tri viktimave të identifikuara. 

“Në ditët dhe javët në vijim, presim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka shkruar tutje.

Gjatë vizitës në lokacionin ku po gërmohej Kurti pati thënë se ndërkombëtarët duhet të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.

Lexo më shumë  128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët, këto janë dënimet e shqiptuara nga gjykata me seli në Hagë për luftën në Kosovë

Kurti ka thënë se gjatë vizitës që aktualisht po e zhvillon në SHBA dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të kërkojë të zbardhet fati i personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. 

“Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”, ka deklaruar Kurti.

Më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër.

YouTube player