Konferenca-Putin: S’duam luftë! Scholz: Integriteti territorial i Ukrainës, i panegociueshëm
Në Moskë kanë nisur bisedimet mes liderëve gjermanë dhe rusë, me Ukrainën në krye të agjendës. Para takimit, kancelari Olaf Scholz vlerësoi “marrëdhëniet tregtare shumë të rregullta” midis dy vendeve.
Olaf Scholzi po zhvillon vizitën e tij prezantuese si kancelar i ri gjerman në Moskë. Ai është takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Kriza në kufirin Rusi-Ukrainë është në qendër të bisedimeve.
“Gjëja më e rëndësishme është që ne i menaxhojmë marrëdhëniet mes vendeve me diskutime të mira me njëri-tjetrin”, tha Scholzi gjatë takimit me Putinin, duke shtuar se ishte i kënaqur që të dy udhëheqësit mundën të takoheshin ballë për ballë.
Ai vlerësoi gjithashtu “marrëdhëniet tregtare shumë të rregullta” midis dy vendeve, ndërsa pranoi “situatën e vështirë” për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Para bisedimeve, Putini tha se bashkëpunimi ruso-gjerman për energjinë ishte një prioritet për Moskën. Në fjalën e tij të hapjes, Putini theksoi lidhjet ekonomike, ndërsa vuri në dukje “diskutimet e nxehta” rreth Ukrainës.
“Fatkeqësisht, ne do t’i kushtojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës tonë çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe sigurinë”, tha Putini.
Marrëdhëniet e Berlinit me Moskën
Gjermania u gjend në një situatë të vështirë përballë kërcënimit të një pushtimi rus të Ukrainës. Ajo është edhe anëtare e NATO-s edhe një partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë. Scholzi udhëtoi për në Moskë nga Kievi, ku takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të forcuar mbështetjen e Berlinit përballë agresionit rus.
Berlini ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e tij për sovranitetin ukrainas, por ka qenë më pak entuziast për kërcënimet për të braktisur gazsjellësin e diskutueshëm Nord Stream 2, i cili do të sillte gazin rus direkt në Gjermani. Gjermania është kritikuar gjithashtu për refuzimin për t’i shitur armë Kievit, pasi rajoni është një zonë konflikti aktive. Megjithatë, Gjermanisë nuk i janë kursyer problemet nga partnerët e saj rusë. Kremlini e ndaloi Deutsche Welle-n të transmetonte në Rusi pasi kanali rus i mbështetur nga shteti RT nuk mori një licencë të ligjshme transmetimi në Gjermani.
Lidhjet ekonomike në rrezik
Të martën, Rusia tregoi gjithashtu se ishte e hapur për diskutime të mëtejshme për të shmangur konfliktin e hapur ushtarak, duke njoftuar se disa ushtarë që kishin marrë pjesë në stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës janë kthyer në bazat e tyre. Megjithatë, Gjermania iu bashkua një nmuri shtetesh të tjera të dielën, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, nga frika e një pushtimi të afërt të Ukrainës nga Rusia. Udhëtimi i Scholzit është një “përpjekje e minutës së fundit… për të shmangur luftën”, por “i takon Putinit të dërgojë sinjale të deeskalimit tani”, tha për DW deputeti konservator gjerman Thomas Silberhorn.
Lidhur me planin e veprimit për sanksionet, Silberhorni paralajmëroi se ato do të shkojnë “shumë përtej sanksioneve ekonomike”, duke u vënë pikëpyetje “të gjithë marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve perëndimore”.
I pyetur për qëndrimin e Gjermanisë për NordStream 2, Silberhorni tha se “Gjermania është e gatshme të përfshijë gazsjellësin Nord Stream 2 në një sërë sanksionesh nga vendet perëndimore”, por si pjesë e një pakete dënimesh më të gjera.
Marrë nga DW
Rruga Press