EditorialKryesore

Komunikimi telefonik mes Macronit dhe Vuqiçit shembull se pse degjeneron besimi në drejtësinë e veprimeve evropiane

Ajo që shqetëson më shumë është vlerësimi i presidentit francez se pozicioni i Serbisë në organizmat ndërkombëtarë lidhur me luftën në Ukrainë dhe nevojën e respektimit të sovranitetit të shteteve, paska qenë i qartë. Me sa kemi kuptuar, e tërë bota e lirë ka qenë e tronditur nga qëndrimi i Serbisë ndaj sulmit të Rusisë mbi Ukrainën. Nëse Macroni e ka çështje, siç e thotë ai vetë “mbështetjen e tij personale për Serbinë”, del që duhet të jetë edhe mbështetje personale edhe për Vuqiçin.

Shpresojmë që nuk është kaq e pakushtëzuar miqësia e Francës me Serbinë. Përndryshe, do të konstatonim një skizofreni të thelluar në figurën e presidentit të Francës, në qëndrimin shtetëror të Francës, në shoqërinë franceze. Jo vetëm që Serbia ka qenë qartazi me Rusinë, por Vulini është shprehur hapur për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

Nëse Macroni po i jep shumë besim aftësive të tij diplomatike, atëherë mund të mendojmë se ai vë shpresën e tij në faktin se Serbia e do më shumë Francën se Rusinë, se trashëgimtari i Millosheviqit e do më shumë Bashkimin Evropian se Putinin. Këtë shpresë mund ta kishim deri përpara luftës së Ukrainës.

Pas luftës së Ukrainës çdo gjë është e qartë: Serbia është ruse dhe jo evropiane.

Në komunikatën e presidencës franceze del në pah edhe një dëm tjetër shumë i rëndë, edhe pse kolateral. Kjo bisedë kaq miqësore është një mbështetje e hapur që presidenti aktual, por dhe kandidat për president i Francës, i jep personalisht presidentit të Serbisë para zgjedhjeve të prillit.

Lexo më shumë  Kurti në Berlin: NATO dhe KiE shtyllat e paqes demokratike në Evropë

Në publikun serb kjo mbështetje është shumë e vyer. Më vonë, nuk ka pse habitemi se pse degjeneron besimi në drejtësinë e veprimeve evropiane. Evropa mund të marrë gaz në Rusi, mund të ndërtojë metro në Beograd, por më e keqja është që po i jep frymën autokratëve.

Më poshtë po botojmë komunikatën e presidencës franceze, në lidhje me komunikimin telefonik të dy presidentëve, Macronit dhe Vuqiçit.

Presidenti i Republikës ka biseduar në telefon me Presidentin e Republikës së Serbisë, z. Aleksandar Vuqiç, të shtunën, 5 mars 2022.

Presidenti vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Francës dhe Serbisë, qartësinë e pozicionit të saj në organizmat ndërkombëtare lidhur me luftën në Ukrainë dhe nevojën e respektimit të sovranitetit të shteteve.

Ai rikujtoi gjithashtu miqësinė e Francës dhe mbështetjen e tij personale për Serbinë.

Presidenti i Republikës vlerësoi se lufta në Ukrainë kërkon që Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet afër tij, veçanërisht nga vendet të cilat, siç është Serbia, u është ofruar një perspektivë evropiane, të shqyrtojnë së bashku mënyrat dhe mjetet për të vazhduar më tej të forcojnë lidhjet e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët për të gjithë evropianët. Lufta në Ukrainë duhet të jetë një mundësi për afrimin evropian.

Presidenti i Republikës dhe homologu i tij serb do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë.

Në shkrimin e profesorit Elvis Hoxha, të cilin po e ekspozojmë më poshtë gjithashtu, do gjejmë atë se cilat ishin pritshmëritë në kuadër të një drejtësie që bëhej e mundur pas sulmeve ruse në Ukrainë, përkundër qëndrimit të djeshëm francez që radhitjen e Serbisë me Rusinë nuk e sheh të dënueshme, por si mundësi për ta rishprehur edhe njëherë miqësinë franko-serbe, për të cilën nuk gjejmë ndonjë arsye ta konsiderojmë se referencën e vet e ka atë të drejtësisë, apo të distancimit të Serbisë nga krimet e veta apo krimet e Putinit.

Lexo më shumë  Kamberi mban takime në PE dhe KiE, diskuton diskriminimin e shqiptarëve në Luginë

Nga Elvis Hoxha, shkruar më 26 shkurt:

Franca ka projektin e madh të metrosë së Beogradit. Franca mund ta tregojë fuqinë dhe drejtësinë duke e ndërprerë këtë dhe çdo kontratë tjetër me Serbinë. Përndyshe, Macroni do të jetë zbatues i politikës së Marine Le Penit. Kjo e fundit mendon se qëllimi i Francës në këtë botë është të mbrojë interesat ekonomikë të individëve francezë me çdo kusht. Mendojeni botën të shkatërruar, por ama familjet franceze të qeta ekomomikisht. Kjo na solli deri këtu: familja kundër shtetit. Shpresojmë që Macroni dhe Schultzi e kanë kuptuar se ç’është politika ruse dhe serbe. Ne e njohim mirë, kuptohet, pa përfshirë Edi Ramën dhe langojt e tij.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *