Komiteti liroi masat për Vitin e Ri, Bino: Kjo solli përhapjen e Omicronit
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve Silva Bino u shpreh në “ABC” se në Shqipëri po dominon përhapja e variantit Omicron. Fajin ua vendosi Krishtlindjeve dhe lehtësimit të masave në natën e ndërrimit të viteve, ku u hoq ora policore për të lejuar festën deri në orët e para të mëngjesit në club-e nate.
“Omicron ka hyrë në vendin tonë dhe janë kryesisht raste të importuara dhe deri në javën e 50-të, deri në 20 dhjetor ne na ka predominuar virusi Delta dhe Omicron është vendosur re vetëm në disa raste të lidhura me udhëtime jashtë.
Pas Krishtlindjeve, me ardhjen e shumë personave tregon se kemi një përhapje. Ne kishim parashikuar që mund të kishim një rritje për festat. Nata e vitit të ri ka luajtur një rol me përhapjen e Omicron, nuk ka diskutim, pasi grumbullimet janë mjeti i parë që shkakton përhapjen e virusit. Aktualisht ne kemi përhapje të Omicronit në vendin tonë. Futja e Omicronit i dedikohet Krishtlindjeve, datave 24 dhe 25.
Është e vërtetë që hapja gjatë festave të fundvitit mund të ketë luajtur një rol. Të dhënat e javës që shkoi, ne shikojmë se pas Krishtlindjeve kemi një rritje të rasteve të moshës 25-34-45-vjeç që është mosha më aktive që shkon në club-e dhe festa. Numri në spital është rritur dhe kjo është e pritshme, sepse kur rritet numri i rasteve kemi rritje edhe në spital, rëndësi kanë format klinike” tha ajo.
Bino kritikoi zbatimin e masave. “Këto masa që kemi nuk zbatohen dhe organet ligjzbatuese nuk i kontrollojnë si duhet. Mbajtja e maskave është e rëndësishme. Shkojnë në opera nuk mbajnë maska, nuk paraqesin certifikatën, por nuk zbatohen masat” tha ajo. Në fund shefja e Departamentit të Epidemiologjisë theksoi se në Shqipëri ende nuk është regjistruar asnjë rast i variantit “Flurona”, që është kombinim i gripit me koronavirusin.
Rruga Press