Shëndetësi

Komiteti i Vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar rekomandon dozën e tretë për të gjithë personat mbi 18 vjeç

Komiteti i Vaksinimit dhe Imunizimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka rekomanduar që doza e tretë e vaksinës t’ju ofrohet të gjithë personave mbi 18 vjeç. 

Gjithashtu ky komitet ka rekomanduar që doza e tretë të aplikohet tre muaj pas dozës së dytë dhe jo gjashtë muaj, siç ka qenë politika e qeverisë deri tani. 

Ky rekomandim vjen pas mbërritjes së variantit Omicron, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë, çka sipas ekspertëve, pritet të sjellë një valë të re të koronavirusit. 

Komiteti jep rekomandimet, të cilat më pas qeveria vendos nëse do t’i aplikojë ose jo. Megjithatë, në konferencën e fundit për shtyp, lidhur me situatë e pandemisë, kryeministri Johnson dha sinjale se qeveria do t’i pranojë rekomandimet e komitetit. 

Lexo më shumë  Fuqizimi i ushtrisë, ministri Maqedonci viziton Mbretërinë e Bashkuar

Deri tani mendohet se varianti Omicron, ka potencialin që t’i shmanget imunitetit të krijuar nga vaksinat, ndaj doza e tretë është e nevojshme për t’u përballur me të. 

Qeveria britanike ka njoftuar masa të reja, për të përballuar situatën e pandemisë, duke filluar me rivendosjen e maskave në dyqane dhe transportin publik dhe kryerjen e testit PCR për çdo person që hyn në MB si edhe izolimin deri në marrjen e përgjigjes negative të këtij testi. 

Kudo në Europë, qeveritë kanë filluar të marrin masa për t’u përballur me një valë të re të mundshme të shkaktuar nga virusi. 

Lexo më shumë  Fuqizimi i ushtrisë, ministri Maqedonci viziton Mbretërinë e Bashkuar

Në Shqipëri, ende nuk ka një rast të konfirmuar të variantit Omicron. Megjithatë, edhe me variantet e mëparshme Shqipëria e ka patur të vështirë t’i identifikojë në kohë, për shkak se nuk e ka kapacitetin e sekuencimit gjenetik, ndaj mostrat dërgohen në laboratorë të huaj. 

Për momentin, në Shqipëri dozat e treta aplikohen vetëm tek personat mbi 60 vjeç, gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë. Ende nuk dihet nëse kjo politikë do të ndryshojë për të përfshirë më shumë grupmosha. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *