Art & Kulturë

Komedia “Martesa” , nga Teatri i Durrësit përfaqëson Shqipërinë në “Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit për vendet e Ballkanit”

Komedia “Martesa” vepër e Çehov do të jetë në skenën e një prej festivaleve të njohura teatrore në Turqi, që zhvillohet muajin që vjen. Teatri “Aleksandër Moisu” në Durrës merr pjesë me këtë komedi në “Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit për vendet e Ballkanit”, që do të zhvillohet në Bursa. Institucioni shprehet se përfaqëson edhe qytetin në një festival dinjitoz teatri. “Pas bashkëpunimit të institucionit tonë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Teatrit në Turqi për projektin e rikonstruksionit të godinës me hartimin e të gjithë anës teknike, një tjetër bashkëpunim i shkëlqyer merr udhë. Teatri “Aleksandër Moisiu” përfaqëson qytetin dhe Bashkinë Durrës në një festival dinjitoz me 9 vite eksperiencë”, shkruan teatri. Komedia do të jetë në festival në datat 12 dhe 13 mars. Vepra e Çehov është pohuar si një ndër komeditë më të bukura të të gjitha kohërave dhe është nën përshtatjen dhe regjinë e Driada Dervishit. Komedia do të jetë në ditët e festivalit në teatrin “Ahmet Vefik Pasha”, në Bursa. Komedia “Martesa” erdhi premierë në vitin 2015 nga regjisorja Driada Dervishi. Regjisorja shprehet se komedia “Martesa” përmes 5 pjesëve nga Çehov vjen plot ritëm. “Në çdo pjesë në komedi ka 1-2 protagonistë kryesorë, është marrëdhënia mes çiftit, etj. Nuk janë vepra të lehta, sepse ka dhe momente të reflektimit apo ngrihen probleme të ditës, ndërsa kjo komedi vjen përmes një loje gazmore”, tregon regjisorja Dervishi.

Në dy net në një martesë

Komedia “Martesa” është me një kast aktorësh, ku në role janë Andia Xhunga, Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Jaho Guma, Mimoza Marjanaku, Gjergj Doçi, Suela Bako, Xhejni Fama. Kjo komedi është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën. Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac.

Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja. “Martesa” nga Anton Pavlovic Çehov është me koreografi nga Elton Cefa, kostumet Driada Dervishi dhe Adelina Muça, drejtor fotografie Daniel Dervishi. Shfaqja teatrore “Martesa” e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është më parë edhe fituese e çmimit të publikut në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”, që u zhvillua në 2021. Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *