Lajme

Koloneli i FSK-së rrëfen për momentet e futjes në Prishtinë dy ditë para largimit të forcave serbe

Koloneli i FSK-së, Ejup Maqedonci, në një intervistë për emisionin “SOT” të KTV-së, ka treguar për për 10 qershorin e vitit 1999, kur ishte futur në Prishtinë me një pjesë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit. Ishte nata kur në Prishtinë u futën ushtarët rusë.

Maqedonci ka treguar se në qershor ishte planifikuar që të zbarkonin në Prishtinë, për të penguar ndonjë masakër të mundshme nga paramilitarët serbë e ushtarakët që largoheshin nga Kosova.

“Në qershor ishte planifikuar një plan operacional prej Zonës Operative të Llapit, që me njësi të UÇK-së, në atë kohë të hyjmë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Synimi ishte pengimi i ndonjë masakre të mundshme gjatë tërheqjes së forcave serbe, e pengimi i ndonjë plaçkitje të shtëpive apo veprime të ndryshme që mund të ndërmerrnin paramilitarët dhe militarët serbë që gjendeshin në Prishtinë. Unë isha pjesë e Brigadës 153, komandant batalioni. Gjatë gjithë kohës para bombardimeve dhe pas bombardimeve kanë vepruar njësite të gueriles BIA, që kanë qenë normalisht civil, gueril që kanë mbështetur zonën operative të Llapit, jo vetëm me informacione e aspektin logjistik, por edhe me veprime operacionale pikërisht në kryeqytet. Zona operative e Llapit planifikoi zbarkim të trupave në Prishtinë për ta penguar ndonjë masakër të mundshme, në këtë detyrë ishte caktuar guerile BIA dhe njësite të Brigadës 153 ku bëja pjesë edhe unë”, ka treguar Maqedonci.

Lexo më shumë  Këlliçi, tjetër denoncim për incineratorin e Tiranës: Ja si u themelua biznesi mafioz i plehrave

Ai ka rrëfyer se çfarë pa në Prishtinë në atë kohë. Ai po ashtu ka treguar se si kishte pasur të shtëna armësh, por që ishte konstatuar se ishte festë nga serbët për futjen e ushtarëve rusë në Prishtinë.

“Mund të them se Prishtina ishte shkretuar atë kohë. Shtëpitë shumica të pabanuar. Edhe në ato ku kishte banorë të strehuara, shumica e shtëpive kishin të mbyllura dritaret me batanije për ta penguar pamjen nga jashtë. Që forcat serbe të mos shohin e të futen e të bëjnë potencialisht ndonjë masakër”, tha Maqedonci. “Jemi pritur me një entuziazëm shumë të madh nga banorët që ishin në Prishtinë, sidomos kur na panë në uniforma të UÇK-së e me armët tona që i kishim me vete. Ne u futëm në mbrëmjen e datës 10 në natën kur u futën trupat ruse në Prishtinë. Ka pasur të shtëna shumë të mëdha prej qytetarëve serbe e forcave paramilitare e militare që ishin Prishtinë si shenjë festimi për hyrjen e trupave ruse. Na u shkaktua konfuzion nuk dinim a është drejtuar kundër nesh apo është diçka tjetër. E kuptuam ndërkohë që ishte të shtëna feste për ta. Atë kohë kishim zënë pozitat në shumicën e lagjeve në Prishtinë. Më datën 10 ngritëm flamurin në shkollën ‘Zenel Hajdini’ në Kodër të Trimave, e në këtë pjesë të rrugës së Bledit”.

Maqedonci tregon se si kishte pranuar një telefonatë mjaft emocionale kur kishte arritur në Prishtinë.

“Kam pranuar një telefonatë nga nëna. Në atë kohë nëna e motra ishin në Maqedoni, te një familje në Tetovë. Më befasoi telefonata se prisja, nuk i kisha parë për afro 4 muaj pas largimit të popullatës nga Prishtina. Pyetjen e parë që më bëri ishte a je mirë, tha a je gjallë. I thashë gjallë jam. Më tha a i ke këmbët. Kishte informata që jam plagosur apo vrarë në luftë, e kam dëgjuar duke qarë pas bisedës me mua. Nuk ishim dëgjuar për disa kohë. Babai im e vëllai ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin ata në Zonën e Llapit, motra e nëna u larguan nga Kosova”, tha Maqedonci.

Koloneli i FSK-së ka një mesazh për gjithë ushtarët e rinj që i bashkohen kësaj force.

“Gjitha gjeneratat e reja që ju kanë bashkëngjit e që do t’i bashkëngjiten FSK-së. Mesazhi kryesor është që krahas zhvillimit të tyre profesional gjithmonë të mirëmbajnë idealet e atyre që nuk janë më, idealet e UÇK-së e gjithmonë ta kenë parasysh se mbi vetveten, mbi interesin personal, duhet të kemi interesin e përgjithshëm. Që normalisht me këtë edhe arrijmë objektivat tona personale”, tha Maqedonci.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *