Art & Kulturë

Kolë Idromeno, themeluesi i pikturës realiste shqiptare dhe arkitekti i veprave madhore të Shkodrës

Më 15 gusht 1860 lindi në Shkodër artisti Nikollë Idromeno.

I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”.

Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.

Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë.

Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian.

Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha.

U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit.

Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”.

Rruga Press

YouTube player