KryesoreLajme

Klodian Braho në krye të SPAK, mes presionit të ambasadave dhe llogarive politike

Klodian Braho është njeriu që do të komandojë SPAK në tre vitet e ardhshme. I zgjedhur me 7 votat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidatura e tij vjen në një kohë kur institucioni ka krijuar idenë se po hyn në një spirale përplasjeje me pushtetin e Edi Ramës. Por kush është Klodian Braho? Çfarë modeli pune ka ofruar në organin e akuzës deri më sot?

Në duart e këtij prokurori kanë kaluar disa dosje të nxehta, si ajo kundër ish-kreut të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, kundër ish-ministrit Lefter Koka, kundër ish-drejtorëve të bashkisë së Tiranës etj.

Në karrierën e tij si prokuror i SPAK ai ka manovruar në shtigje të thepisura të drejtësisë, ku shpesh nuk mjafton të zbatosh ligjin, por duhet të dish të mbijetosh mes presioneve të politikës, mes pritshmërisë së ambasadave dhe çfarë është më e rëndësishme, të dish se kur duhet të ndalesh tek vija e hollë e kuqe, kur dosja prek njerëzit e gabuar apo duhet të shtosh presionet dhe akuzat, sipas urdhrit që ke marrë nga lart.

Ndaj, herë me peshoren e politikës shqiptare dhe herë me mbështetjen e ndërkombëtarëve, Klodian Braho ka ditur të manovrojë bukur për të arritur në një moment kulminant të karrierës së tij.

Spektakli i ambasadorëve në sallën e KLP

Si drejtuesi i strukturës më të rëndësishme antikorrupsion, Klodian Braho u zgjodh pas një presioni të fortë të ndërkombëtarëve. Shfaqja e tyre në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë tregon dështimin e reformës në drejtësi dhe i jep një goditje të fortë përpjekjeve për të ndërtuar institucione të forta në vendin tonë.

Imazhet e ish-ambasadores amerikane Juri Kim 3 vite më parë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë të freskëta në memorien e gjithkujt. Atëherë, Yuri Kim hyri në sallë me bindjen e plotë se kandidati Altin Dumani do dilte aty vetëm si kryetar i SPAK. Dhe ashtu ndodhi.

Por me aktin e saj publik, Kim i hapi rrugën një tradite që u ndoq nga ambasadorët e tjerë, të cilët treguan se ende sot nuk kanë besim se organet e drejtësisë do të bëjnë zgjedhjen më të mirë të mundshme.

Përfaqësues të SHBA, BE dhe Britanisë së madhe në sallën e KLP
Përfaqësues të SHBA, BE dhe Britanisë së madhe në sallën e KLP

Kur nisi dëgjesa me kandidatët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, në sallë prisnin të ulur ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy van Horn, ambasadori britanik, Nick Abott dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik. Aq shumë ambasadorë të tjerë kishte, sa një ditë më parë zyra e shtypit e SPAK lajmëroi gazetarët se nuk kishte më hapësira për kameramanët dhe një pjesë e mediave duhej të prisnin jashtë.

Ditët e fundit, Braho ka qenë i zënë për shkak të kandidaturës për kryesimin e SPAK, me takime, prezantime dhe një kalvar pritjesh e përcjelljesh me të huajt.

Klodian Braho me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore në DASH, Mark Fleming
Klodian Braho me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore në DASH, Mark Fleming

Ra në sy se ditët e fundit, dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Marc Fleming dhe zëvendësi i tij Lyn Debevoise erdhën në Tiranë dhe kërkuan posaçërisht të publikohej nga një foto në zyrën e Klodian Brahos. Mesazhet e tilla publike nuk kanë nevojë për përkthim apo për komunikata.

Emri i Brahos nuk mbështetet rastësisht nga ndërkombëtarët. Më së miri, profilin e tij e rrëfejnë dosjet që ka hetuar, zgjedhjet që ka bërë dhe njerëzit që i ka shërbyer ndër vite.

Arrestimi i Shpëtim Gjikës, vlonjati që kundërshtoi Edi Ramën kryeministër

Braho ka punuar për një periudhë në Vlorë dhe dosja më e rëndësishme që i erdhi në dorë ishte ajo për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Shkurt 2015. Prokurori i ri sapo ishte transferuar nga Berati për në Vlorë. Prej dy vitesh, pushteti kishte ndryshuar. Kryeministri i ri, Edi Rama kishte probleme me karakteret e vështira brenda Partisë Socialiste. Në veçanti, në Vlorë i duhej një spastrim për kontrollin e qytetit, si një shembull për të marrë nën kontroll të gjithë jugun.

Në plan kishte t’ia dorëzonte terrenin Koço Kokëdhimës, që në vitet e opozitës kishte qenë një ndër mbështetësit e tij më të flaktë. Por Vlora ishte nën kontrollin e Shpëtim Gjikës. Si një ndër socialistët më të vjetër në detyrë, Gjika kontrollonte jo vetëm bashkinë, por edhe degën e Partisë Socialiste, duke u bërë një pengesë për pushtetin e Kokëdhimës.

Në atë kohë, raportet e Ramës me ish-prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishin ende në një fazë të mirë bashkëpunimi. Llalla nuk kishte pse dilte kundër një lëvizjeje aq të vogël brenda Partisë Socialiste dhe për këtë u gjet pikërisht prokurori Klodian Braho.

Një denoncim i brendshëm i administratës së Bashkisë mori shpejt formën e një dosjeje për shpërdorim detyre dhe Shpëtim Gjika e pa veten në pranga fare papritur.

Edi Rama dhe Shpëtim Gjika në selinë e Partisë Socialiste
Edi Rama dhe Shpëtim Gjika në selinë e Partisë Socialiste

Ajo që ra në sy ishte se Partia Socialiste e la në baltë kryebashkiakun e saj. Jo vetëm kaq, por Rama u kujdes ta shiste si triumf të drejtësisë duke thënë se “PS nuk do të bëhej mburojë e askujt” shpjegoi ai, duke shtuar se “si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”.

Lexo më shumë  E konfirmuar: BE ka nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës

Arrestimi i Gjikës shërbeu për rokadën politike brenda PS-së. Koço Kokëdhima mori pushtetin në qytetet kryesore të jugut dhe vuri nën kontroll administratën. Për Klodian Brahon, përveç se një dosje e bujshme, ndëshkimi i Gjikës shërbeu si trampolinë. Llalla e “shpërbleu” duke e katapultuar nga Vlora në Tiranë, në Prokurorinë për Krimet e Rënda. 

Dosja me përgjimin e Edi Ramës

Momenti i dytë kyç në karrierën e Klodian Brahos ishte Dosja 184, zgjedhjet në Dibër në vitin 2016, ku përgjimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda zbuluan anatomine e një masakre zgjedhore. Përfshirja e policisë në shitblerjen e votave, presione ndaj administratës dhe qytetarëve, përdorimi i krimit në ditën e votimit, të gjitha ishin aty.

Rama dhe ish-ministrat që dalin në përgjimet e dosjes 184
Rama dhe ish-ministrat që dalin në përgjimet e dosjes 184

Por elementi më i fortë i dosjes ishte një telefonatë e kryeministrit Edi Rama me një drejtues policie të zhvendosur në Dibër, Arben Keshin, njeriu që menaxhonte në terren blerjen e votave. Në telefonatën që u botua në mediat ndërkombëtare, kreu i qeverisë Edi Rama i kërkonte Keshit “të arrinte objektivin” me çdo kusht, ndërsa ushtari në anën tjetër të telefonit premtonte se “do të bënte gjithçka ishte e mundur”. Në të njëjtën dosje dolën përgjimet e ish-ministrave si Saimir Tahiri, Ulsi Manja dhe emra të tjerë të mazhorancës, duke premtuar shpërblime dhe grada për policët që blinin vota në Dibër.

Për çdo prokuror, kjo dosje ishte sprove se deri ku mund të shkonte drejtësia përballë politikës. Në fakt, ajo që ndodhi ishte zhgënjyese. Dosja kaloi në prokurorinë e Dibrës dhe u mbyll në heshtje. Për ta varrosur hetimin, u gjet pikërisht Klodian Braho.

Reagimi i parë ishte ai i Sali Berishës që deklaroi: “Prokurori qe firmosi kaloi me pare me gjithe mekatet si shperbilm vetingun!”

Por ndërsa opozita shpërthente në akuza, Braho kishte kopsitur llogaritë e tij. Ai u mbrojt publikisht nga prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku dhe më vonë siguroi një vend në SPAK. Përgjimi i Edi Ramës u harrua, ndërsa në vend të drejtësisë lëvizi karriera.

Dosja për përndjekjen e Adriatik Llallës

Ironia e fatit e deshi që, pas vitesh, Klodian Braho të merrte në dorë dosjen e njeriut që e kish sjellë në Tiranë, Adriatik Llallën. Pasi e larguan nga detyra, amerikanët e shpallën Adriatik Llallën non grata.

Por ai tregoi publikisht se ish ambasadori amerikan, Donald Lu, dhe ish ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, i kishin kërkuar arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, si dhe mbylljen e hetimeve për Bankers Petroleum, por ai kishte refuzuar. Sipas versionit të Llallës, kjo ishte arsyeja pse ndaj tij nisi më pas ndjekja penale.

Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish ambasadori Donald Lu
Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish ambasadori Donald Lu

Në këtë vijë logjike, duhej një prokuror i bindur që të ishte gati ta godiste ish-shefin e tij dhe këtë e gjetën pikërisht tek Klodian Braho. Në mars të vitit 2018, Llalla u vu nën akuzë për akuzat e “fshehjes se pasurisë”, “mosdeklarimin e të hollave në kufi”, “pastrim parash” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Ish-prokurori i Përgjithshëm u dënua me 2 vite burg dhe iu sekuestrua një pjesë e pasurisë, ndërsa u largua jashtë vendit për t’i shpëtuar burgosjes. Braho fitoi këtu besimin e partnerëve ndërkombëtare, pasi rezultoi i aftë për t’u rreshtuar në “krahun që duhej”.

Dënimi i Lefter Kokës për Elbasanin

Një nga dosjet më të rëndësishme ku është përfshirë Braho është ajo e inceneratorit të Elbasanit, afera 22 milionë euro që për vite me radhë është trajtuar si model i korrupsionit qeveritar.

Në këtë dosje, Klodian Braho punoi bashkë me Arben Krajën. Hetimi çoi në bankën e të akuzuarve ish ministrin Lefter Koka dhe një sërë bashkëpunëtorësh të tij në ministri dhe kompani private. Përfundimi, një dënim prej 5 vite e 8 muaj burg për Kokën dhe sekuestrim të një pjese të pasurisë së tij, si dhe dënime për Alqi Bllakon, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe disa ish zyrtarë të tjerë.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në sallën e gjyqit
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në sallën e gjyqit

Por të gjitha fijet e dosjes, ashtu siç u pasqyruan në pretencën 62 faqëshe që Lapsi.al analizoi në atë kohë, të çonin në një version të çuditshëm të realitetit, ku një ministër dhe një grup biznesmenësh kishin patur fuqi pothuaj mistike, duke komanduar qeverinë në Tiranë dhe kryetarin e bashkisë në Elbasan për të favorizuar vetëm veten. Zyra e kryeministrit mbetej jashtë kornizës.

Qartë dukej se dy prokurorët, Kraja dhe Braho, dinin mirë si të hetonin, por kishin pranuar një kufi të padukshëm, një vijë të hollë mbi të cilën nuk mund ta shkelnin. Ata nuk ishin të lirë të hetonin këdo. Prandaj Lefter Koka u bë thjesht kokë turku për të kënaqur statistikat në progres-raportin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Lexo më shumë  Klodian Braho zgjidhet në krye të SPAK-ut

Dosja “5D”

Si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në dorë edhe dosjen “5D”, atë që për herë të parë vuri në hetim drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe goditi klanin më të afërt të Erion Veliajt. Skema ishte ulëritëse, pasi drejtorët fitonin vetë tenderët e bashkisë përmes kompanive të tyre, duke e ngritur korrupsionin në një fazë të re, ku nuk ekzistonte ryshfeti, pasi i gjithë buxheti vidhej nga drejtorët e bashkisë.

Ish-drejtorët e Bashkisë të hetuar nga SPAK
Ish-drejtorët e Bashkisë të hetuar nga SPAK

U lëshuan tre masa sigurie “arrest në burg” për Redi Mollën, ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime, Taulant Tushën, ish drejtor i Punëve Publike, dhe Mariglen Qaton, ish drejtor i IMT. Gjashtë masa të tjera ishin “detyrim paraqitje” për ish anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave. Dosja e drejtorëve eci paralelisht me hetimet për pasurinë e vetë Erion Veliajt, pas denoncimit të Nesti Angonit.

Megjithatë, ashtu si te Elbasani, edhe këtu dosja nuk u ngjit në katin e fundit. Pyetja se a mund ta bënin këtë korrupsion drejtorët e bashkisë të vetëm, pa dijeninë dhe bekimin e kryetarit, mbeti pezull dhe nuk mori asnjë përgjigje nga SPAK.

Jo më kot, në protestat para bashkisë, Belind Këlliçi ngrinte pikëpyetje për prokurorin Braho Kush jua ka mbyllur gojën? Jua kanë mbyllur paratë gojën?” ishte pyetja që i drejtohej prokurorit Klodian Braho në protestat para bashkisë.

Dosja “5D” mbeti një shembull tjetër i një shpërthimi të kontrolluar, ku prokuroria nuk prek drejtuesin e institucionit.

Dosja e fondeve të Bashkimit Europian

Në planin ndërkombëtar, dosja e IPARD është ndoshta më e rënda në termat e përplasjes mes Brukselit dhe Tiranës. Programi IPARD II, me mbi 71 milionë euro fonde për Shqipërinë në periudhën 2014 deri 2020, u kthye në shembull sesi mund të abuzohet me paratë e bujqësisë europiane në një vend kandidat.

Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, pas tre vitesh hetimesh konstatoi parregullsi serioze në mënyrën si AZHBR administroi fondet. Bashkimi Europian kërkon kthimin e mbi 33,5 milionë eurove, të konsideruara si të shpenzuara në mënyrë të parregullt në harkun e viteve 2020 deri 2022.

Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca
Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca

Nga krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante, te lidhjet e paligjshme mes ofertuesve, te çmimet e fryra dhe mungesa e dokumentacionit origjinal, panorama ishte e qartë. Komisioni Europian pezulloi programin dhe i kërkoi Tiranës masa korrigjuese.

Në Shqipëri, çështja u regjistrua fillimisht në SPAK dhe iu caktua Klodian Brahos. Dy vite më vonë, SPAK shpalli moskompetencën me argumentin se mungonin elementët e veprës penale të korrupsionit pasiv. Dosja u zbrit një shkallë më poshtë, në Prokurorinë e Tiranës, ku u regjistrua për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, akuza me peshë më të ulët dhe me impakt më të kufizuar politik.

Tetë muaj më pas, Prokuroria e Tiranës njoftonte se nuk kishte asnjë person të regjistruar si i dyshuar.

Në thelb, vendimi për moskompetencë i Brahos ishte një sinjal i qartë. Një dosje që në Bruksel trajtohej si skandal i madh, në Tiranë u kthye në një çështje rutine administrative. Për zyrtarët e lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR, kjo lëvizje funksionoi si një amnisti de facto. Për publikun, si provë se marrëdhënia e Brahos me mazhorancën nuk është marrëdhënie konflikti, por mirëkuptimi të heshtur.

Karriera dhe vetingu

Në bazë të dosjeve që ka hetuar, Braho ka edhe biografinë klasike të një prokurori karriere. I lindur në Skrapar më 21 korrik 1982, ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005 deri 2008 dhe u emërua prokuror në Berat.

Në vitin 2012 u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku mbajti edhe postin e zv, drejtuesit. Në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht, u angazhua si pedagog dhe ekspert në Shkollën e Magjistraturës.

Prokurori Klodian Braho duke dalë nga salla e vetingut
Prokurori Klodian Braho duke dalë nga salla e vetingut

Nga 19 dhjetori 2019 është prokuror pranë SPAK, pasi u përzgjodh nga KLP mes kandidatëve që kaluan filtrat e vetingut. Procesi i rivlerësimit kaloi pa tronditje për të.

Ai deklaroi një apartament 29 mijë euro në Yzberisht, një automjet me vlerë 400 mijë lekë të reja, një kredi bankare 2,8 milionë lekë dhe një hua prej 5 mijë eurosh nga i ati, të cilën e kishte përdorur për të porositur apartamentin.

Para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Braho shpjegoi: “Për shkak se u kërkuan të dhëna për të ardhurat e babait…, ai është i vetëpunësuar në bujqësi. Në atë kohë në familje ka qenë edhe vëllai dhe ka ekzistuar mundësia për krijimin e vlerës 5 mijë euro, që më ka dhënë babai hua”.

Komisioni nuk konstatoi probleme në blerjen e makinës, në kursimet cash apo në pasuritë e familjes së bashkëshortes. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk gjeti kontakte me persona të lidhur me krimin e organizuar. Me pak fjalë, asgjë që të pengonte një karrierë të qetë por të ndërtuar mbi një politikë finoke që nuk ka bërë asnjë llogaritje të gabuar, të paktën deri më tani./Lapsi.al

YouTube player