Kim Mehmeti: Jam i tmerruar, Policia shqiptare po vepron si ajo e Millosheviçit
Analisti dhe shkrimtari, Kim Mehmeti, i ftuar në “SYRI TV”, komentoi protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë, prej tre ditësh ku kërkohet drejtësi për Klodian Rashën.
“Protesta është shenja e shpresës se ai vend ka të ardhme”,-tha ai. Nga ana tjetër, ai reagoi ashpër kur thotë se Policia Shqiptare po sillet si Policia e Sllobodan Millosheviçit.
Pjesë nga fjala
Më ka shqetësuar orvatja për të fajësuar për vrasjen viktimën dhe jo autorët. Kjo më kujton vitet e Millosheviçit, kur na vrisnin dhe na fajësonin neve.
Duke dëgjuar këto shpjegime, sa nuk thonin që arma ishte shkrepur vetë pa dashje, mendoja se si është e mundur që kjo frymë millosheviçiane të ketë depërtuar te drejtuesit e policisë së Rilindjes?
Si mundet që të jetë kjo mendësi të jetë kaq e afërt për burrështetasit e Tiranës? Ata funksionojnë njësoj si policia serbe dikur kur na vrisnin neve. Miqësia e Ramës dhe Vuçiç, që kanë të njëjtën mendësi sunduese, është më e dhimbshmja, që ju ndoshta nuk e ndjeni atje.
Familja e Adem Jasharit u ekzekutua me pretekstin se aty ka njerëz të rrezikshëm. Serbët edhe nëse nuk kishte armë, ta vinin. Prandaj kjo më tmerroi, kur dëgjoja deklaratat policore se polici është rrëzuar dhe arma është shkrepur.
Ajo që më ka trishtuar është se kam parë intelektualë që mbrojnë policin e armatosur dhe jo protestuesin e pambrojtur.