Këtë vit pritet të shënohet rekord i rendimenteve të grurit në Kosovë
Ky vit pritet të shënojë rekord për sa u përket rendimenteve të grurit. Kështu vlerëson Ministria e Bujqësisë, ndërsa këtë e përforcon edhe vlerësimi i profesorit universitar, Imer Rusinovci, i cili konsideron se prodhimtaria e grurit këtë vit qoftë për nga sasia, qoftë për nga cilësia, është më e mirë se vitin e kaluar.
Viti 2024 për sa i përket korrjes së grurit po del të jetë goxha i bereqetshëm. Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, i ka thënë Radio Kosovës se ky vit, në krahasim me vitet e tjera, do të ketë rendimente shumë më të mira.
“Rezultatet e korrje shirjeve është e vështirë t’i themi por është fat që këtë vit kemi me pasur rendimente shumë më të mira krahasuar me vitin e kaluar, për arsye se vitin e kaluar nuk kemi pasur fat të mirë për shkak të të reshurave të shumta gjatë tërë vitit, dhe që për pasojë, nuk ka pasur rendimente të duhura”, ka thënë Demelezi.
Edhe profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, konsideron se prodhimtaria e grurit, sivjet është dukshëm më e lartë.
“Prodhimtaria e grurit këtë vit është më e mirë, qoftë për sasi të prodhimit, qoftë për cilësi. Tani korrjet kanë filluar edhe në rrafshin e Kosovës. Unë isha prezent në disa sondazhe në Komunën e Lipjanit dhe prodhimtaria ishte diku 6 deri në 7 tonë, që do të thotë dukshëm më e lartë në raport me vitet e kaluara”, tha Rusinovci për Radio Kosovën.
Pritjet për rendimente më të larta këtë vit i ka shprehur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në një postim në Facebook, ku ka thënë se ky vit po shënon rendimente rekord të pasluftës pothuajse në çdo kulturë bujqësore, me theks të veçantë në drithëra.
Vitin e kaluar kanë qenë 100 mijë hektarë me drithëra ku 66 mijë hektarë ishin me grurë. Kosova nuk i mbulon të gjitha nevojat e qytetarëve me grurë.
Rruga Press