Bota

Këshilli i Sigurimit i OKB-së bën thirrje të parandalohet zgjerimi i luftës në Lindjen e Mesme

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje për rritjen e përpjekjeve diplomatike për të parandaluar luftën më të gjerë në Lindjen e Mesme, pas vrasjeve të liderëve të grupeve militante Hamas dhe Hezbollah.

Të mërkurën mbrëma, Kina, Rusia dhe Algjeria dënuan vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, të cilën ambasadori iranian në OKB e quajti akt terrorizmi, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca theksuan se Irani mbështet akterët destabilizues në rajon.

“Ne kemi frikë se rajoni është në prag të një lufte të plotë”, ka thënë Shino Mitsuko, zëvendëspërfaqësuesja e Japonisë në OKB dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të parandalojë një konflikt të tillë.

Fu Cong, ambasadori i Kinës në OKB, ka thënë se dështimi për të arritur armëpushim në Gaza ishte përgjegjës për përkeqësimin e tensioneve, raporton Reuters.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti takon përfaqësuesit e OKB-së, diskutojnë për sundimin e ligjit dhe zhvillimet në veri

“Vendet me ndikim të madh duhet të ushtrojnë më shumë presion dhe të punojnë më fuqishëm për të shuar flakët e luftës në Gaza”, ka thënë ai.

Ambasadorja britanike në OKB, Barbara Woodward, bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje dhe përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Ajo ka theksuar se Izraeli dhe Hamasi duhet të riangazhohen për një proces paqeje që do të rezultonte në një zgjidhje me dy shtete me një Izrael të sigurt dhe një shtet sovran palestinez.

“Rruga drejt paqes duhet të jetë përmes negociatave diplomatike. Paqja afatgjatë nuk do të sigurohet me bomba dhe plumba”, ka shtuar Woodward.

Robert Wood, zëvendësambasadori i SHBA-së në OKB, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që kanë ndikim mbi Iranin “të rrisin presionin ndaj tij për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit kundër Izraelit dhe akterëve të tjerë”.

Lexo më shumë  Von der Leyen sot në Ukrainë për të diskutuar për ndihmën milionëshe për energjinë

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, ka thënë se Teherani ka treguar vazhdimisht përmbajtje maksimale, por rezervon të drejtën të përgjigjet me vendosmëri. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të dënojë Izraelin dhe ta ndëshkojë atë me sanksione.

Nga ana tjetër, zëvendëspërfaqësuesi i Izraelit në OKB, Jonathan Miller, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që ta dënojë Iranin për mbështetjen e terrorizmit rajonal dhe të rrisë sanksionet kundër Teheranit.

“Ne do të mbrohemi dhe do të përgjigjemi me forcë të madhe kundër atyre që na dëmtojnë”, ka thënë Miller dhe i bëri thirrje botës që të mbështesë Izraelin.

Rruga Press

YouTube player