Kërcënimi i bandave serbe në veri dhe korbat shqip-krrakues!
Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi
“Brigada e veriut” e kanë quajtur! Ndërsa, korbat shqip-krrakues i japin tonin, sikur të ishte ndonjë murtajë që po i afrohet Kosovës! Përralla! Thjesht një diversion për të trembur disa sorra në territorin e Kosovës. Sorra që krrokatin për llogari të Beogradit. E që thonë “Nëse nuk krijohet asociacioni e nëse nuk shtyhet zbatimi i vendimit për targat, do të ketë luftë”! Asgjë s’do të ketë! Mjafton që Qeveria e Kosovës, institucionet dhe politikanët e Kosovës të bëhen bashkë!
Bandat nuk bëjnë luftë
Po kush është kjo “Brigada e veriut”? Më kujton vitin 1997 në Shqipëri! Jugu i Shqipërisë kishte krijuar komitetet e ashtuquajtura të Jugut. Opinioni priste nga momenti në moment të keqen më të madhe. Banditët e formatit të Zani Çaushit çdo ditë dilnin në ekrane dhe thoshin se nesër do të marshojmë drejt Tiranës. Ndërsa trumcakë europianë priteshin tek zbrisnin nga helikopteri po nga banditi në fjalë, Zani! Por, kurrë nuk mundën të marshojnë drejt Tiranës.
Rezistenca kundër bandave çoi në marrëveshjen e 9 marsit 1997. U krijua balanca. Politika mori në dorë fatet e vendit! Të njëjtën gjë po bëjnë serbët në veri të Kosovës, ose më saktë po bën Aleksandër Vuçiqi në emër të serbëve. Presion përmes bandave, që i quajnë “Brigadë”! Kush ta hajë, le ta hajë! E në fakt e hanë mediat shqiptare në Shqipëri e në Kosovë! E ushqejnë shqiptarët bashkëpunëtorë të Beogradit! Më së shumti “Albania Post” e Baton Haxhiut. Do të vijë dita e dikush do ta shkruajë përmbledhjen e botimeve të këtij portali, për të dëshmuar se si i shërbehet politikave serbe në Kosovë e në Shqipëri!
Që të ketë luftë nuk mjafton që të ketë banda. Banda pa fund pati në vitin 1997 në Vlorë, Tepelenë, e Sarandë! Madje me mbështetje të fuqishme të parave të Milosheviçit e të qarqeve vorioepirote të Greqisë! Por bandat vetëm sa e izolojnë mundësinë për luftë. Sepse ato nuk krijojnë frymë te qytetarët. Thjesht bëjnë zhurmë! Janë si armët me fishekë manovër. Në Beograd e në veri të Kosovës janë banditë ata që kërcënojnë me luftë! Serbët në veri e sidomos ata në jug të Ibrit e njohin këtë melodi! Prandaj dhe lufta e predikuar është propagandë. Serbët e Kosovës i rrinë larg kësaj “lufte” banditësh!
Lufta është propagandë për të trembur sorrat shqiptare në Kosovë e në Shqipëri dhe për të motivuar disa trumcakë në Europë e në SHBA në mbështetje të Serbisë! Në fakt këta trumcakët europianë, por edhe emisarët amerikanë e dinë se nuk ka luftë!
Disa kanë interesa të tjera dhe mesa duket iu konvenon të kërcënojnë e të përhapin panik në rajon! Paniku është mjet sundimi! Dhe ajo që është pozitive, Qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani nuk e përcjellin këtë kërcënim seriozisht. Po të ishin të interesuar për sundim, ata do të duhej t’i bashkoheshin korit të sorrave e të trumcakëve të kërcënimit të bandave serbe në veri të vendit dhe të kryebanditit, Aleksandër Vuçiq!
Analistë filoserbë të Kosovës e të Shqipërisë
Kjo është arsyeja pse Albin Kurti i thotë jo asociacionit dhe gjithashtu jo shtyrjes së zbatimit të vendimit për zëvendësimin e targave serbe në Kosovë. Targat janë simbol i aplikimit të ligjit kushtetues serb në Kosovë! Me targat serbe Vuçiqi kërkon t’u thotë serbëve se “Kosova është Serbi”. Së paku se ‘veriu i Kosovës është Serbi’. Por, për veriun serb ai u flet edhe ndërkombëtarëve. Ndërsa analistët filoserbë të Kosovës e të Shqipërisë na thonë se nëse ndodhë konflikti “në veri të Kosovës instalohen strukturat paralele”! Nuk thonë bandat serbe të sponsorizuara nga Beogradi! Sepse po të flasin për bandat e Beogradit humbasin honorarin! Më vjen ndot të kem kolegë analistë e gazetarë të tillë të shitur e të blerë si lopa në pazar!
Sot Kurti dhe Vuçiqi po takohen në Bruksel! Nëse bashkësia ndërkombëtare arrin ta bindë Vuçiqin se pas dhjetë muajsh do të pranojë të ndryshohen targat, Kurti nuk ka arsye pse të mos e shtyjë afatin. Por duhet garanci. Edhe më 31 korrik u kërkua shtyrja për dy muaj e zbatimit të vendimit. Por, nuk pati garanci dhe situata nisi nga zero. Në këto kushte është absurde të pranohet zgjatja e afatit! Vetëm një marrëveshje e nënshkruar nga Beogradi dhe e garantuar nga Brukseli dhe Uashingtoni mund të çojë në shtyrjen e këtij afati.
Kërcënimi me luftë është thjesht një taktikë bandash për ta frikësuar Kosovën dhe për t’u dhënë alibinë disa ndërkombëtarëve anti-shqiptarë për të favorizuar Serbinë në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit! Ajo që ka rëndësi, duhet të mos lëshohet asgjë sa i përket njohjes së shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Statuti i saj nuk diskutohet! Ky është e duhet të jetë parimi themelor i bisedimeve!
Rruga Press