Kërcënimet dhe frikësimet ndaj policëve të rinj serb, ambasadori Hovenier: Të papranueshme
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka reaguar gjithashtu ndaj fushatës kërcënuese që ka filluar në rrejtet sociale, kundrejt qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u punësuan në Policinë e Kosovës.
Hovenier ka thënë se kjo që po bëhet është e papranueshme.
“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë.
Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.
Rruga Press